Dy vëllezër kosovarë, të cilët u larguan nga lufta e viteve 1998-99 në Kosovë, janë shndërruar në tregim suksesi në Shtetet e Bashkuara. Ata thonë se tashmë po e jetojnë ëndrrën amerikane.
Njëri prej tyre i përshkruan tmerret e luftës në Kosovë dhe gjendjen e rëndë para se të largoheshin drejt Shteteve të Bashkuara. “Shtëpitë bombardoheshin para syve tanë, kishte vrasje, vrasje masive dhe masakra”, tha ai.
Etrit Demaj, i mbijetuar i luftës tregon se si ai dhe familja e tij ishin detyruar të flinin në veturë për tri ditë derisa e kishin kaluar kufirin mes Kosovës dhe Maqedonisë. Ai gjithashtu tregon se si nëna e tyre u kishte futur para në xhepa, në rast se ata do të ndaheshin me forcë nga prindërit.
Për fat të mirë, ata nuk ishin detyruar të ndahen nga njëri-tjetri dhe nga Maqedonia arritën në Detroit të Shteteve të Bashkuara.
Në Shtetet e Bashkuara, ata fillimisht e hapën një biznes familjar, një restorant. Më pas, ata filluan të merren me sektorin e pasurive të paluajtshme dhe qiradhënie. Njëri prej vëllezërve studioi për banka, ndërsa tjetri për menaxhim.
Në vitin 2013, ata e themeluan kompaninë “Rocket Fiber”. “Kompania jonë e ofron internetin më të shpejtë dhe më të besueshëm në Detroit dhe tashmë jemi të lidhur me tri qytete të tjera për internetin më të shpejtë në botë”, thotë Demaj.