Dy vjet pas inaugurimit “Ulpiana” në të njëjtën gjendje

Prishtinë | 21 Nën 2018 | 09:19 | Nga Ekonomia Online

Dejan Dimitrijeviq pak para përfundimit të orarit të punës ka shfrytëzuar kohën që të ngarkojë në makinë disa fidanë të rinj në arën e tij ngjitur me parkun arkeologjik “Ulpiana”. Është njëri nga gjashtë personat e angazhuar për t’u kujdesur për lokalitetin arkeologjik më të famshëm në Kosovë. Në fund të shtatorit shteti nuk ia ka dhënë pagën. Bashkë me kolegët nuk ka marrë pagë as në fund të tetorit. E më 16 nëntor u është ekzekutuar një pagë. “Ministria katastrofë valla”, është komenti i Dimitrijeviqit që duket sikur di, por përton të flasë shqip.

Një pjesë e lokalitetit arkeologjik është shpallur Park para dy vjetësh, saktësisht më 26 tetor 2016. Prej atëherë asgjë nuk ka ndryshuar sa i përket menaxhimit të “Ulpianës”.

Bajram Vitija të martën ka qenë në Institutin Arkeologjik të Kosovës. Ka marrë me vete gjashtë kontratat e punës. Janë kontrata njëmujore. Tash dy vjet të angazhuarit paguhen nga projekti për gërmime në këtë lokalitet. Parku ka mbetur pa staf të rregullt. Gazi është lënda me të cilën ngrohen rojtarët nëpërmjet një boce trilitërshe në kabinën në hyrje të Parkut. Kabina nuk ka energji elektrike. Një bateri shërben si mjet të cilin e mbushin në shtëpi që ta përdorin kur u duhet drita. Në rast të shpenzimit të saj gjatë natës, qiriu është “zgjidhja”.

Krejt Parku, rreth tre hektarë, nuk ka ndriçim. Natën nuk shihet asgjë. Mungojnë rrethojat. Punonjësit thonë se janë diku nja 20 qen që sjellin mbeturina, midis të tjerash edhe eshtra kafshësh në këto hapësira. Krejt duhet të pastrohen çdo ditë. Tash dy vjet asnjë hap pozitiv nuk është bërë për Parkun, megjithëse nga janari atë e kanë frekuentuar 30 mijë vizitorë. Vetëm në tetor kanë qenë 6 mijë. Me goxha pompozitet ishte bërë përurimi i Parkut të parë arkeologjik në Kosovë. Asokohe ishte premtuar se shpejt do të zgjidheshin shumë probleme.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme