Ministria e Punëve të Brendshme ka reaguar pas aksionit të sotëm, gjatë të cilit u arrestuan dy zyrtarë të kësaj ministrie dhe dy përfaqësues të një kompanie private, nën dyshimin për keqpërdorim të lejeve për armë dhe marrje ryshfeti.
MPB ka mirëpritur aksionin e përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
“Ministria e Punëve të Brendshme mirëpret aksionin e përbashkët të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Policisë së Kosovës që rezultoi me arrestimin e katër (4) personave të dyshuar, dy prej të cilëve zyrtarë të Ministrisë. Për të njëjtit ekziston dyshimi se kanë kryer veprat penale ‘keqpërdorim i detyrës zyrtare’ dhe ‘marrje ryshfeti’”, thuhet në reagim.
Ministria ka theksuar se nuk do të tolerojë asnjë formë të keqpërdorimit të detyrës zyrtare apo përfshirjes në veprimtari të paligjshme nga cilido zyrtar i saj.