Në seancën e Kuvendit të Kosovës e cila është duke vazhduar, ka pasur debat të ashpër ndërmjet shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri dhe deputetit të VV-së, Faton Topalli.
Meqë Faton Topalli i VV-së pati kritika rreth shqyrtimit të Agjendës Evropiane, ishte deputeti Beqiri i cili akuzoi ata që kanë nga dy pasaporta dhe që tri ditë qëndrojnë në Prishtinë e një muaj në gurbet, raporton lajmi.net.
“Nuk dua të merrem me ata që tri ditë janë në Prishtinë e një muaj në gurbet. S’kam asgjë kundër atyre që punojnë vetëm për një shtet, për dallim nga ata që Kosovën e shfrytëzojnë për shpërndarjen e patriotizmit”, ka thënë Ismet Beqiri.
Reagimi ishte i menjëhershëm nga Faton Topalli duke e cilësuar Ismet Beqirin si dyftyrësh.
“Unë i kam dy pasaporta, po nuk i kam dy fytyra, nuk kam përfitu banesa si ka bërë Beqiri, jam shumë aktiv në Kuvend, dhe nuk kam aftësi të jap tendera”, ka reaguar Topalli.
Në replikën e fundit, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, ka thënë se ai i njeh organet e Kosovës, e jo si disa që i njohin vetëm kur iu konvenojnë.