Dyshekët “jetëshpëtues” arrijnë për herë të parë në QKUK

Prishtinë | 05 Sht 2018 | 12:22 | Nga

Ministria e Shëndetësisë në buxhetin e ndarë për QKUK-në prej 3.5 milionë eurove, ka pajisur këtë institucion edhe me 20 dyshekë për ngrohje të pacientit gjatë dhe pas operimit, për të gjitha sallat operative, intenzive dhe për dhomat e zgjimit. Këtë e ka bërë të ditur ministri i kësaj ministrie, Uran Ismaili, në llogarinë e tij në Facebook.

“Dyshekët ‘jetëshpëtues’ arrijnë për herë të parë në QKUK. Këta dyshekë ofrojnë siguri më të madhe për pacientët dhe qetësi më të madhe profesionale për mjekët. Çdo ditë nga një punë, për përmirësimin e shërbimeve mjekësore për qytetarët tanë”, ka shkruar ai.

Më tej, ministri ka shprehur shqetësim për shkak të gjendjes në të cilën ka punuar QKUK-ja deri më tash pa këta dyshekë.

“Deri më sot, më të drejtë gjithësecili prej nesh jemi shqetësuar kur kemi dërguar një të afërm për operacion në QKUK.
Është e paimagjinueshme që QKUK kurrë nuk ka pasur dyshekë për ngrohjen e pacientit gjatë dhe pas operacionit, i cili e mbron atë nga hipotermia dhe ia përshtatë temperaturën që kërkon trupi në atë gjendje. Për vite me radhë personeli ynë mjekësor është përballuar edhe me përvoja shumë të këqija nga hipotermia”, ka shkruar ministri Ismaili.

Të ngjashme