Në Komunën e Podujevës dyshohet se është djegur serveri i administratës. Këtë shqetësim dje e kishte paraqitur aktivisti i shoqërisë civile, Shemsi Jashari.
Jashari deklaroi për Klankosova.tv se lidhur me këtë rast askush deri më tani nuk ka dhënë asnjë shpjegim.
“Kjo ka krijuar një shqetësim sepse aty janë të dhënat e qytetarëve që mund të keqpërdorën. Sipas informacioneve fillestare dyshohet se ky server është djegur. Kjo besoj është si pasojë e keqmenaxhimit të komunës që e ka sjellur punën deri aty”, tha ai.
“Ky server është jashtë funksionit nga dita e djeshme. Nuk e di a ka pasur më parë sulm kibernetik e pastaj ka ndodhur, por dyshoj se nuk janë marrë masat adekuate lidhur me rastin”, tha Jashari.
“Deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim nga ana e komunës, asnjë shpjegim, asnjë deklarim lidhur me rastin. Domethënë, qoftë për ta konfirmuar apo mohuar këtë, apo për të treguar hapat që do të ndërmerren për ta rregulluar këtë”, tha aktivisti i shoqërisë civile në Podujevë Shemsi Jashari.