E ardhmja e trajnerit Zekirija Ramadani te Trepça 89 është ende në pikëpyetje.
Presidenti i klubit mitrovicas, Abedin Zeka ka deklaruar që të enjten mbrëma do të mbajnë takim me trajnerin shqiptar, ku do të sqarohen shumë gjëra. Ndër të tjera kryesia e Trepçes 89 pret shpjegim të detajuar nga Ramadani për eliminimin nga rrethi i parë kualifikues në Ligën e Kampionëve, humbjen 4-1 nga Vikingur në Mitrovicë dhe ndryshimet befasuese që kishte bërë në skuadër.
Pas ndeshjes dy palët nuk kanë mbajtur asnjë takim meqë i gjithë stafi dhe futbollistët kanë bërë pushim 8 ditorë. Mitrovicasit kthehen të enjtën pasdite në stërvitje për të filluar përgatitjet për edicionin e ardhshëm.
Nëse Ramadanit do t’i vazhdohet kontrata nuk pritet të bëhen shumë ndryshime në skuadër, por në të kundërt nëse timonin e Trepçës 89 e merr një trajner tjetër, pritet të ketë edhe transferime të reja.