120 Projektligje janë dërguar nga Qeveria Kurti, e të cilat janë duke u trajtuar në Komisionet Parlamentare. Në kuadër të agjendës legjislative, synohet të sillet për miratim edhe rregullorja e re e Kuvendit, raporton Ekonomia Online.
Pozitë e opozitë e shohin si të mirësardhur këtë rregullore, me ç’rast thonë se do të kontribuojë në mirëfunksionimin e kuvendit.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Armend Muja në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se drafti i parë i punës për këtë çështje do të diskutohet në kuvend, ku priten të shfaqen të gjitha detajet e ndryshimeve.
“Drafti i parë do të diskutohet në kuvend dhe aty priten të shfaqen të gjitha detajet e ndryshimeve krahasuar me rregulloren paraprake. Megjithatë sa i përket agjendës legjislative qeveria Kurti i ka sjellë 120 projektligje të cilat komisionet parlamentare janë duke i trajtuar dhe agjenda legjislative presim që të përshpejtohet edhe këta muaj në vijim”, tha Muja.
E në anën tjetër, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami tha se sa i përket rregullore janë ndryshime administrative të cilat do të kontribuojnë në mirë funksionimin e kuvendit.
“Tani rregullorja e kuvendit është rregullore e punës se si funksionon kuvendi. Në atë rregullore është konferenca e kryetarëve të grupeve parlamentare dhe janë disa procedura tjera, kuorumi, organizimi i komisioneve. Por në përgjithësi janë ndryshime administrative të cilat besoj që do të kontribuojnë në mirë funksionimin e kuvendit. Funksioni i saj është të ngritë performancën e kuvendit të Kosovës”, tha Bajrami.
Ish-ministrja e Financave, foli edhe për rritjen e çmimeve të energjisë elektrike, duke thënë se qytetarët tashmë kanë filluar t’i marrin faturat me ngritje.
Sipas, deputetes Bajrami pritjet janë që inflacioni ka tendencë të rritjes, e që fatkeqësisht nuk ka masa proaktive nga ana e Qeverisë të cilat do të ndikonin në stabilizimin e çmimeve.
“Qytetarët në lëkurën e tyre po e përjetojnë çdo ditë këtë ngritje të çmimeve. Tashmë kanë filluar ti marrin edhe faturat e energjisë elektrike me ngritje. Shumica prej tyre po e shohim nga reagimet në rrjetet sociale janë të befasuar. Faturat e rrymës shpeshherë po kalojnë të ardhurat e tyre personale për një muaj dhe kjo nuk mund të krahasohet me asnjë vend tjetër. Ndërkohë që këto fatura për familjet e vogla po i tejkalojnë të ardhurat mujore. Mandej kemi pasur inflacion të madh muajve të fundit. pritjet janë që inflacioni ka tendencë të rritjes dhe fatkeqësisht nuk kemi parë masa proaktive nga ana e qeverisë të cilat do të ndikonin në stabilizimin e çmimeve”.
Bajrami theksoi se ka 8 muaj që Agjencia e Konkurrencës nuk është funksionale dhe si rezultat i kësaj mund të ketë abuzim me pozitat dominonte të firmave të mëdha në treg ku kompanitë merren vesh për nivelin e çmimeve.
“Ne e dimë që nuk ka pasur pako të rimëkëmbjes ekonomike gjatë komplet vitit 2021. Ne ende nuk e kemi marrë raportin financiar për komplet vitin. Por ajo çka kemi parë është së deri në fund të shtatorit janë dhënë 61 milionë si pako e rimëkëmbjes ekonomike për krejt qytetarët dhe bizneset. Ne kemi propozuar që qeveria të ketë pako substanciale për të rritur konkurrueshmërinë. Ka 8 muaj që Agjencioni i Konkurrencës nuk është funksional dhe si rezultat i kësaj ne mund të kemi abuzim me pozitat dominante të firmave të mëdha në treg ku kompanitë merren vesh për nivelin e çmimeve dhe kjo e dëmton rëndë jetën e qytetarëve dhe ngritja e çmimeve ndikon në jetën e qytetarëve prek shtresat të cilat janë më të varfra”, tha Bajrami.