Komuna e Pejës do të detyrohet t’i paguajë mbi tre mijë euro paditëses Seniha Gjeladini, e cila kishte kërkuar kompensim dëmi material dhe jo material si pasojë e kafshimit të qenit endacak në Pejë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ajo e kishte paditur Komunën e Pejës, pasi pretendonte se ishte lënduar si pasojë e kafshimit nga një qen endacak.
Gjykata Themelore në Pejë ka aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë e paditëses Seniha Gjeladini.
Sipas aktgjykimit të përpiluar nga gjykatësi Fatmir Baloku, e paditura Komuna e Pejës detyrohet që paditëses, në emër të dhimbjeve të përjetuara, frikës, shëmtimit, mjekimit dhe ushqimit të përforcuar, ta kompensojë në shumën prej 3 mijë 157 euro.
Në arsyetimin e aktgjykimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, theksohet se nga administrimi i provave gjatë shqyrtimit gjyqësor, është vërtetuar se e paditura, Komuna e Pejës është përgjegjëse për kompensimin e dëmit material dhe jo material, si pasojë e sulmit të qenve endacakë.
“Legjitimiteti pasiv i të paditurës vërtetohet nga dispozitat e nenit 14 par.1 pika E dhe I e statutit të Komunës së Pejës dhe nenit 17, pika E dhe I e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale. Sipas dispozitave të nenit 14 par.1 të Statutit të Komunës së Pejës, e paditura ka kompetenca të plota dhe ekskluzive sa i përket interesit lokal duke zbatuar legjislacionin e zbatueshëm, ndër të tjera mbrojtjen e mjedisit lokal dhe promovimin, mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, theksohet në aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë.
Sipas gjykatës, nuk qëndrojnë thëniet e të autorizuares të së paditurës, se Komuna e Pejës nuk është kompetente të ofrojë sigurinë e qytetarëve nga qentë endacakë dhe kompensimin e qytetarëve për shkaktimin e pasojave nga qentë endacakë.
Ndryshe, në padinë e ushtruar më 20 janar 2017, në Gjykatën Themelore në Pejë, nga pala paditëse, thuhet se e njëjta kishe pësuar lëndime si pasojë e kafshimit nga një qen endacak, që kishte ndodhur më 22 nëntor 2016, rreth orës 22:00, në oborrin e shtëpisë së saj, në rrugën “Ahmet Gjikolli“, në Pejë.
Sipas padisë, paditësja Gjeladini, në natën kritike duke dalë në oborr, befas është sulmuar nga një qen endacak, i cili e kishte kafshuar në pjesën e barkut.
Në fund të padisë, paditësja ka propozuar gjykatës që të detyrohet e paditura, Komuna e Pejës, që paditëses Seniha Gjeladini, në emër të kompensimit për lëndimet trupore të shkaktuara si pasojë e kafshimit të qenit, të kompensojë dëmin material dhe jo material.