E Majta shqiptare ka armike kohën

Prishtinë | 17 Jan 2026 | 18:27 | Nga Ben Andoni

E Majta shqiptare që është në fuqi prej vitit 2013 me kryeministrin Edi Rama nuk ka më kundërshtar bjerrjen e fuqisë dhe pushtetit prej korrupsionit, opozitën e fragmentuar dhe partitë e vogla (këto po i mbijetojnë djerrinës që kanë lënë mirëkuptimet e vazhdueshme zgjedhore të PS dhe PD), por vetë kohën. Dimensioni i fundit tashmë e ka trandur për të ardhmen Partinë Socialiste dhe parasheh atë tokë të shkretë, që leëë pushtete të stërgjata pa kundërshtarë potencialë. Por ndërkohë është edhe një element i anashkuar shqiptar dhe lidhet me prirjen e sotme të së Majtës, të cilës po i merren atributet nga e Djathta. Kjo e fundit po noton në rrjedhën normale të kthimit të kohërave ideologjike. Krejt ndryshe, në Shqipëri, Partia Demokratike e mbetur në opozitë me zbehje të vlerave të saj dhe copëzim, po mundohet të thërrasë më shumë çështje sociale (Të Majta), shpesh edhe më shumë sesa artikulon vetë e Majta që nga ana tjetër është qendërzuar dhe në disa raste po rrugëton normal drejt të Djathtës ideologjike! Një trend është i gjallë: Në Poloni, parti si “Ligj dhe Drejtësi” (PiS) dhe në Hungari “Fidesz” i kanë mbijetuar dhe e kanë mposhtur të Majtën pikërisht me politikat e Majta. Duke nisur nga politikat për kujdesin ndaj fëmijëve dhe duke vazhduar me qëndrimet ndaj pensioneve, që përmenden shpesh dhe artikulohen si baza të arsyeshme nga opozita jonë. Ndërkohë që nacionalizimi ynë demokrat, i cili shprehet më shumë në politikat ndaj Kosovës dhe sa i përket karakterit të Djathtë me politikat ndaj familjes kanë ruajtur ende fasadës ideologjike të PD-së.

Nga ana tjetër, e Majta shqiptare nuk i kushton më aq shumë vëmendje politikës së Majtë klasike, paçka retorikës të saj në kongreset e shpeshta dhe, duket se u përshtat me atë që shumë parti Social Demokrate e gjetën si justifikim për tranzicionin e tyre dhe pushtetin e madh. Qendra që përfaqëson “Rrugës së Tretë” duket se u var de jure më shumë nga tregu i lirë, kurse në Shqipëri nga një pozicion i politikës së pangopur të Ramës që donte të rrokte të gjithë spektrin ideologjik. Është e vërtetë se kjo zhvendosje ideologjike i pati rrënjët në SHBA nga Presidenti Bill Klinton, por modeli shqiptar ishte ai që u aplikua në Mbretërinë e Bashkuar, prej një aleati të qëndrimeve të z. Rama. Ish-kryeministri laburist Toni Bler pretendoi se socializmi që ai mbështeste ishte krejt ndryshe nga kanonet klasike: “Lloji im i socializmit është një sërë vlerash të bazuara në nocionet e drejtësisë sociale…Me kohë, Rama u shmang dhe nga ky model duke e lëvizur edhe përtej kësaj udhe. Dhe, paçka pozicionit personal në Internacionales Socialiste të kryeministrit Rama, qëndrimi i tij i la pa gojë dhe vetë përfaqësuesit e të Majtës me politikat e tij të bashkëpunimit me Orban në Hungari dhe sidomos me kryeministren Meloni në Itali. Sot pesha e pamatë dhe pushteti i tij e ka shtyrë normalisht drejt një Autokracie të Majtë që bën një përzierje shumë rokoko të politikave joliberale, shpesh nacionalizmit dhe pushtetit ndaj Institucioneve.

Pushteti i ekzekutivit Rama nuk përballet më me logjikën e Check and Balance, sepse pothuaj të gjithë instrumentet e shtetit janë në dorë të tij. Rastet e fundit të korrupsionit dhe sidomos kultura e madhe e përvetësimit e shtrirë në formë kapilare kanë treguar se sot kapja e shtetit është e dukshme… dhe e frikshme, por larg shtresave të varfra dhe të mesme sociale.

Shqetësimi më i madh publik sot është se: Me këtë lloj pushteti, Partia Socialiste mbart dhe mbulon në dukje të gjithë peshën ideologjike të së Majtës pa qenë e Majtë më në thelb. Kjo do të thotë se ka marrë të gjithë atë hapësirë që partitë e vogla të Majta dhe sidomos ato me karakter socialist nuk po e marrin dot prej tandemit PS dhe PD.

E Majta e Ramës sot përplaset dhe me realitetet në zhvillimet botërore. Kryeministri Rama, me të drejtë, është shprehur hapur për mbështetjen ndaj Ukrainës dhe kjo është pozitive, por karakteri i përçarë i NATO-s sot dhe pastaj militarizmi me armatimin (ky është normal sot në fakt) dhe pacifizmi socialist e ka bjerrur e konfuzuar para njerëzve. Në një nga daljet e fundit Rama para auditorit të huaj ka shprehur logjikën se duhet një qasje ndryshe me Rusinë (duke nënkuptuar gjetjen e komunikimit) dhe kjo zhvendosje e ka bërë publikun e Majtë vërtetë të jetë i paqartë. Edhe pse kjo tezë po fiton hapësirë në Evropë prej politikës së paqartë në kontinentin plak prej SHBA-së.

Përveç Lëvizjes “Bashkë” në Shqipëri dhe qartësisë së saj ideologjike, spektri i Majtë është pothuaj i mbuluar nga Socialistët. Anipse, mungesa e bashkëkohësisë tek ne vërehet dhe në këtë lëmë nga paqartësia e publikut. “Bashkë” nuk është se vetëm po mbijeton, por i duhet të përballë dhe nëmjen e vazhdueshme si Komunistë.

Prej vitit 2010, nismat e “së Majtës së re” filluan të kaplojnë të gjithë Evropën Lindore dhe të shtrihen edhe më tej, të tilla si: Lëvizja “Oçupy”, lartësimi i Syriza-s në Greqi dhe më vonë, momenti i liderëve Corbyn-Sanders, respektivisht në Britani dhe Shtetet e Bashkuara. Për fat të keq në Shqipëri, partitë tona afër të Majtës janë ende shumë larg kauzave moderne, si ato që lidhen me sindikatat moderne, politikat e gjelbra, feminizmin, abortin dhe mbështetjen me ide për të ardhmen e të varfërve, por sidomos interesave të Klasës së Mesme, që po varfërohet gjithnjë e më shumë në “Socializmin” Rama. Ndryshe nga “Razem” në Poloni dhe “Levica” në Sllovaki që ditën të orientoheshin me këto tema, e Majta e sotme shqiptare e ka diskursin vetëm për integrimin e Shqipërisë në BE, që përbën në fakt një rrugë normale zhvillimi. Sërish, Lindja po na jep një mësim me temat urbane që po nxjerr dhe që e Majta jonë i shmang. Možemo në Kroaci, por edhe Szikra në Hungari – përqendrohen në ambientalizëm, të drejtat gjinore, punësimin dhe strehimin urban. Kur shikon mungesën e adresimit serioz të çështjeve të tilla te PS-ja, apo në tema për ndryshimet klimatike në vend dhe sidomos problemin e strehimit për familjet e reja, kupton se pse të Majtët tanë kanë vështirësi, kur po shmangin “klasiken” e së Majtës.

Ndërkohë që kudo është një gjeneratë që po e kërkon ndryshimin dhe që lidhet me shumë me interesat e Gjeneratës Z. Rasti i partisë “Die Linke” (E Majta) në Gjermani, në muajt e fundit, po tregon se kudo po kërkohen realitete të tjera. Në Shqipëri, kjo gjeneratë ka lindur pas tmerrit të 1997 dhe djerrës komuniste dhe ndoshta po pret vetëm energjinë e duhur të ngrihet. Si vëllezërit e saj në pjesën e Lindjes së Gjermanisë që e kanë vënë para dominimin e AfD-së së ekstremit të djathtë në disa zona, në Shqipëri i duhet nëse jo thjesht emancipimi i PS-së, edhe marrja e territorit që mbahet e sunduar prej saj, tashmë e drobitur nga lodhja e pushtetit dhe zbehja morale prej korrupsionit. Kjo të bën kuptosh se Partia Socialiste ka tashmë armike vetë kohën, prej zbehjes së politikës së saj konfuze dhe larg interesave të shtresave sociale. Por, çka është më keqe, është se: E Majta shqiptare, e përfaqësuar nga socialistët, po lë një djerrinë ideologjike dhe një konfuzion që vende të tjera, sidomos në Lindje, nuk po e kalojnë dot. Kjo është kambana e sotme për të Majtën dhe po kumbon fort për veshët që e respektojnë këtë ideologji. (Homo Albanicus)

Të ngjashme