Ngacmimet seksuale në rrugë, për fatin e keq të vajzave dhe grave në Kosovë, nuk janë të rralla.
Mirëpo, i rrallë është raportimi i tyre dhe për pasojë ngacmuesit shpesh ia dalin pa “therrë në këmbë”.
Burimet brenda Prokurorisë në Prishtinë bëjnë të ditur se një vajzë u ngacmua seksualisht mbrëmë pas mesnate rreth orës 3:30 në Prishtinë, në afërsi të Stacionit Policor Jugu.
Sinjali mëson që ngacmimin e kishte shoqëruar një fjalosje dhe një zhurmë që kishin shkaktuar protagonistët e ngjarjes, e cila u dëgjua nga një njësi policore që ishte në afërsi, ku menjëherë janë vënë në veprim dhe kanë shoqëruar personat e dyshuar në stacion policor për intervistim.
Viktima ka raportuar se me të dyshuarin njihen kohë më parë dhe gjatë kësaj kohe sa ishin duke lëvizur me veturë, i dyshuari i kishte përcjellur me veturë nga rruga “Bill Clinton” deri në Vranjefc e më pas posa kanë mbërritur te rrethi i Viktorisë veturat janë ndalur për tu sqaruar.
Në veturë me viktimën ishte edhe një person tjetër. Ajo po ashtu ka deklaruar se i dyshuari posedon edhe armë.
Në këtë rast policia ka kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit mirëpo nuk është gjetur asgjë. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, pas intervistimit rasti është hapur “Ngacmim”.