E përditshmja spanjolle: Hadergjonaj, lojtari më i rrezikshëm i Kosovës

Prishtinë | 08 Sht 2021 | 12:03 | Nga Ekonomia Online

E përditshmja spanjolle MARCA e ka paralajmëruar Spanjën se rreziku më i madh në takimin kualifikues kundër Kosovës për Kupën e Botës do t’i vijë nga dyshja Florent Hadergjonaj dhe Vedat Muriqi.

Kombëtarja e Kosovës e pret Spanjën sonte në orën 20:45 në Stadiumin Fadil Vokrri në kryeqytet, për ndeshjen e Grupit B kualifikues për Botërorin 2022.

Furia e kuqe do të kërkojë fitore me çdo kusht, e vetëdijshme se çfarëdo rezultati tjetër do të nënkuptojë humbjen e gjasave për vendin e parë në grup. Spanjollët do ta mbajnë një sy edhe kah Athina, ku Suedia përballet me Greqinë.

Spanja i ka 10 pikë në vendin e parë, një më shumë se Suedia në vendin e dytë, por i ka zhvilluar dy ndeshje më shumë se kjo e fundit. Prandaj, vendi i parë në grup nuk është i sigurt për furinë e kuqe.

Kosova, nga ana e saj, renditet e treta me vetëm katër pikë, pothuajse pa shpresa për kualifikim. Vendi i parë shkon direkt në Katar 2022, ndërsa vendi i dytë luan në play-off.

Dardanët do të luajnë për renditje sa më të mirë në grup dhe për t’i prishur punë spanjollëve dhe Marca beson se mbrojtësi i anësor i Kasimpasas Hadergjonaj është rreziku më i madh i tyre.

“Kosova nuk ka shumë lojtarë të njohur, por i ka disa që duhet t’i marrësh parasysh”, shkruan MARCA.

“Hadergjonaj, më i rrezikshmi. Përveç asisteve, futbollisti i Kasimpasas është më i rrezikshmi më aksionet e tij. Hadergjonaj i ka krijuar gjashtë raste shënimi në total. Apo 1. Raste shënimi për ndeshje”, shkruan e përditshmja spanjolle.

Në lidhje me Muriqin, Marca shkruan: “Sulmuesi i Lazios është referenca më e madhe në sulmin e Kosovës. Dëshmi për këtë është se ai i ka shënuar dy prej tri golave të ekipit në këto ndeshje kualifikuese, që ia kanë siguruar Kosovës katër pikë. Muriqi ka bërë po ashtu më së shumti goditje në portë nga ekipi i tij, 10 në total. Apo 2.5 për ndeshje.”

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme