I akuzuari për rrezikim të trafikut publik, Lorenc Marku, e ka pranuar fajësinë në seancën e shqyrtimit fillestar që është mbajtur të martën në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Klinë.
Marku akuzohet se me veturën e tij e kishte goditur një fëmijë, derisa ai po ngiste biçikletën, duke i shkaktuar kështu lëndime të rënda trupore, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pas leximit të aktakuzës nga prokurori i çështjes Muharrem Bajraktari, i akuzuari Marku, ka thënë se e ndien vetën fajtor për veprën me të cilën akuzohet.
“E pranoj fajësinë për këtë vepër, sa ka ndje dhimbje fizike i dëmtuari pas këtij aksidenti, aq kam ndje unë dhimbje shpirtërore për të. Aksidentet mund të na ndodhin të gjithëve. Unë deklaroj se e pranoj fajësinë”, ka thënë i akuzuari Marku.
Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar prokurori Bajraktari dhe më pas me aktvendim e ka aprovuar edhe gjykatësi i rastit, Jashar Gashi.
Përfaqësuesi ligjor i të dëmtuarit, respektivisht babai i J.L, ka deklaruar se i dëmtuari i kishte kërkuar falje për këtë aksident të ndodhur dhe se me të kanë raporte të mira shoqërore.
“Nga ana ime Lorenci është i falur. Ky nuk e ka krye veprën me qëllim. Rreziku është i fshehtë, mund të na ndodh të gjithë neve. Kur e kam kuptu se Lorenci e kishte dërgu në spital djalin tim pas aksidentit, unë qaty për qaty ia kam falë. Ne kemi raporte të mira mes vete”, ka thënë babai i të dëmtuarit, Nazif Litaj.
Gjykatësi i rastit Jashar Gashi, ka thënë se aktgjykimi do të shpallet më 20 nëntor 2019, në orën 14:00.
Sipas aktakuzës së ngritur më 24 tetor 2019, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Lorenc Marku, akuzohet se më 8 gusht 2019, rreth orës 17:32, në rrugën Zllakuqan-Klinë, përderisa ishte duke e drejtuar automjetin e tipit “BMW X3”, me të arritur në vendin e lartcekur duke mos iu përshtat kushteve të rrugës, shpejtësisë së lejuar dhe duke mos u siguruar për veprimet e fëmijës që ngiste biçikletën, e godet atë në rrotën e pasme të biçikletës me pjesën e përparme të anës së majtë të automjetit, duke i shkaktuar lëndime të renda trupore të dëmtuarit J.L.
Për shkak të këtyre veprimeve, sipas Themelore në Pejë, Lorenc Marku, akuzohet se ka kryer vepër penale “rrezikim i trafikut publik”, nga neni 370, paragrafi 8, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi