Një nënë në Kentucky të Shteteve të Bashkuara është arrestuar nga policia pasi u akuzua se e ka shitur foshnjën e vet për dy mijë dollarë.
Policia kontaktoi me gruan e quajtur Maria Domingo-Perez, 31 vjeçe, pasi zyrtarët e shkollës fillore “Bennet Curry” raportuan se një grua po e shet foshnjën.
Kjo grua fillimisht kishte dhënë deklarata kundërthënëse në polici, por më vonë pranoi se ia ka shitur foshnjën një burri dhe një gruaje.
Çifti Jose Manuel Pascual dhe Catarina Jose Felipe thanë para hetuesve policorë se ia kanë dhënë gruas së dyshuar dy mijë dollarë për foshnjën e saj.
Policia nuk i publikoi gjininë dhe moshën e foshnjës së shitur nga nëna.
Autoritetet i arrestuan të tre personat e përfshirë në këtë vepër, ndërsa nuk dihet nëse ata kanë siguruar ndonjë avokat.
Organet e sigurisë njoftuan se i kanë marrë në mbikëqyrje foshnjën e shitur dhe katër fëmijët e tjerë të gruas së dyshuar, shkruan “CNN”.