Kishin gjashtë muaj që e njihnin njëri-tjetrin. Por, një pazar i bërë në mes të Shkodran Bytyqit dhe Trimor Lalinovcit përfundoi në një vrasje që cilësohet si njëra ndër më të rëndat në Kosovë. Trimori dyshohet se e vrau, pastaj e dogji kufomën e Shkodranit në mbrëmjen e 8 dhjetorit të këtij viti.
Menjëherë pas vrasjes ai kishte shkuar tek familja e të ndjerit duke u shtirur gjoja s’kishte ndodhur asgjë dhe se nuk dinte se ku gjendej tashmë i ndjeri Shkodrani, por edhe duke premtuar se do ta gjenin. Express sjell rrëfimin e dy familjeve nga Ferizaj për krimin dhe tentimin për ta fshehur një vrasje që ditë më parë e tronditi Kosovën
Takimi i fundit me familjen për Shkodran Bytyqin kishte qenë më 7 dhjetor. E gjithë familja Bytyqi ishin mbledhur në mbrëmje për ta kremtuar ditëlindjen e vëllait të vetëm të Shkodranit.
Atë natë, Shkodrani, gjatë qëndrimit me familjen, nuk kishte shfaqur ndonjë shqetësim se po e mundonte ndonjë gjë, ose se kishte pasur probleme me dikë. Por, një fat i tmerrshëm e priti atë një ditë më vonë më 8 dhjetor, kur dyshohet se u vra nga Trimor Lalinovci në bashkëpunim me vëllain e këtij të fundit.
Gazeta Express, të mërkurën ka qëndruar te familja e viktimës, Shkodranit, si dhe te familja e të dyshuarve që e vranë 32-vjeçarin.
Familjari i viktimës: Trimori pas krimit na erdhi në shtëpi, ende i kishte duart me gjak kur e përqafonte nënën tonë
Djali i dytë i familjes Bytyqi, Shkodrani, i magjistruar në ekonomi, kishte qenë i martuar, baba i dy fëmijëve një vajze 8 vjeçe e një tjetre 5-muajshe. Ai mbrëmjen e 8 dhjetorit derisa kishte qenë duke qëndruar me familjen e tij, dy vajzat dhe gruan, e kishte pranuar një thirrje telefonike.
Kishte qenë Trimori, ai i cili i kishte kërkuar atij takim, për t’ia larë një pjesë të një borxhi të një toke që i dyshuari Trimori, e kishte blerë nga tashmë i ndjeri Shkodrani.
Atë ditë, Trimori duhej t’ia paguante një borxh prej 14 mijë eurove viktimës. Për një parcelë prej 11 ari që i dyshuari e kishte blerë nga viktima, ishin marrë vesh, përmes noterit, që borxhi të paguhej me këste.
Një familjar i viktimës, ka dhënë detaje të frikshme rreth këtij rasti.
Ky familjar ka thënë se në ditën kur po dyshohet se Trimori e ka vrarë Shkodranin, i dyshuari kishte shkuar në shtëpinë e viktimës, duke u shtirur gjoja se nuk kishte ditur asgjë për vendndodhjen e Shkodranit.
“Trimori ka ardhë tek ne, ditën kur po dyshohet se na e ka vra vëllain. Ka ardhur vet, ka ora 22:00 e natës. Shkodrani ka qenë shok me të që 6-7 muaj. Ia ka shitë një parcelë e cila ka qenë e vëllait. Me noter ka qenë gjithë procesi. Me këste ka pas pagesën ky i dyshimi që ta bëjë. Ai ka ardhë tek nëna jem, e përqafonte i thoshte unë jam djali yt i treti, beso në mu. Me duart me gjakun e vëllait tim, ka ardhur dhe e ka përqafu nanën time e fëmijët e vëllait që i la jetimë”, tregon detaje nga kjo ngjarje e rëndë një familjar i viktimës.
Ai tha, se i dyshuari, Trimori, u kishte ofruar ndihmë familjes për ta gjetur Shkodranin.
“….do ta bëjmë të pamundurën që ta gjejmë, na thoshte. Asi vrasësi unë nuk e di. Më ka thanë hajde po shkojmë edhe tek gruaja e vëllait. Jemi shku. I merrte vajzat e tij i përqafonte. Ky vrasësi është sjellë tek ne me një sjellje krejt të thjeshtë. Krejt normale. Si vrasës serial, që i shohim në televizor. Ka ardhë më ka marrë mu. Kemi shku të gruaja e vajzat e vëllait. Ai jepte ide se ku kishte mundur që të shkojë vëllau”, thotë ky familjar i të ndjerit.
Familja: Trimori pasi na e vrau vëllain, i çoi mesazh familjes tonë me telefon të Shkodranit
Ky familjar i viktimës tregon se nga telefoni që e kishte pasur i ndjeri (Shkodrani), u kishte shkuar një mesazh ku thuhej se tashmë viktima (Shkodrani), po shkonte t’i lante disa hesape me dikë. Por këtë mesazh, familja e të ndjerit po thonë se nuk e ka shkruar vëllai i tyre, por Trimori i cili i cili dyshojnë që menjëherë pas vrasjes viktimës ia ka marrë telefonin në të cilin sinjal ka pasur edhe disa ditë pas vrasjes.
“Ai ka këqyrë që me ia lënë fajin dikujt tjetër për vrasjen që e kishte kryer ai vet. Ia ka marrë vëllait edhe ka shkruajt mesazh, “jam duke shku tek njëri, do t’ia bëjë kështu e kështu”, shkruhej në mesazh. Telefoni i bënte, nuk e çelte. Ky Trimori ka dashtë që fajin me ia gjujtë tjetër kujtë duke u largu nga krimi.”, thotë ky familjar.
Nga familja e të ndjerit tregojnë se vëllai i tyre ka qenë djalë i qetë. Nuk kishte treguar për ndonjë problem me dikë.
“Shkodrani ka qenë super djalë. Sa ka diplomuar në master ekonomi. Super djalë ka qenë. Një të metë e ka pas, që ka besu shumë në njerëz”, tregojnë për personalitetin e të ndjerit, familjarët e tij.
I ndjeri, Shkodran Bytyqi, pos gruas edhe dy vajzave, njëra 8 vjeçe e tjetra pesë muajsh, ka lënë pas një vëlla dhe dy motra.
Familja e të dyshuarve: Distancohemi nga ky rast, bashkë ndjejmë me familjen e viktimës
Atë të vrasjes së 32-vjeçarit, Shkodran Bytyqit në mbrëmjen e 8 dhjetorit të këtij viti.
Duke mos dashur që të flasin më tepër për këtë rast, nga familja e të dyshuarve kanë treguar se distancohen nga veprimi që dy djemtë e familjes së tyre, Trimori bashkë me të vëllain e kanë bërë.
“Dhembja për ne është e madhe. Jemi të shokuar, distancohemi nga ky veprim. Sinqerisht bashkë ndjejmë me familjen e viktimës”, thanë shkurt familjarët e të dyshuarve.
Trimori ka një motër e cila jeton jashtë Kosovës. Një vëlla me të cilin dyshohet se e ka kryer krimin. Ka lënë në shtëpi vetëm nënën, ngase prindi kohë më parë i kishte vdekur.
E ndërkohë, me propozimin e prokurorisë Themelore të Ferizajt, gjykata tashmë ua ka shqiptuar nga një muaj paraburgim vëllezërve Lalinovci.
Prokurori i rastit, Burim Çerkini, ka thënë të mërkurën për Express, se prokuroria ditët në vijim do të marrë edhe hapa të tjerë të cilët do ta zbardhin të gjithë rastin.
“Jemi duke i vazhduar hetimet. Ne kemi kërkuar një muaj paraburgim. Kërkesa është aprovuar. Ditëve në vijim do të marrin edhe hapa të tjerë karshi këtij rasti””, ka deklaruar për Express Çerkini.
Megjithëkëtë, sipas Gjykatës Themelore të Ferizajt, “I pandehuri T.L. dyshohet se më 8 dhjetor 2019 në fshatin Surqinë – Komuna Ferizaj, ka privuar nga jeta viktimën Sh. B., pas një mosmarrëveshje mes tyre e cila ka rrjedhur si rezultat i një borxhi që i dyshuari ia kishte viktimës”, thuhej në njoftimin e Gjykatës.
Ndryshe, Shkodran Bytyqi ishte raportuar si i zhdukur, gjatë javës së kaluar, atë të 8 dhjetorit. Rastin në Polici e kishte paraqitur babai i tij, i cili kishte thënë se i biri është larguar nga shtëpia, sipas tij për shkak të një borxhi.