EC Ma Ndryshe në bashkëpunim me OPDMK, të shtunën, kanë realizuar performancën publike “Trotuare të qasshme për të gjithë”, përmes të cilit aktivitet kanë reaguar ndaj neglizhencës dhe pasivitetit të autoriteteve komunale në ndërmarrjen e masave adekuate për sigurimin e lëvizjes së lirë në trotuaret dhe rrugët kryesore të qytetit të Prizrenit për personat me aftësi të kufizuara.
Antigona Shestan nga Organizata për persona me distrofi muskulore, ka bërë të ditur se përmes këtij aktiviteti, në mënyrë simbolike përkatësisht duke vendosur një pjerrinë në një trotuar (në Urën e Arastës) në rrugën “Remzi Ademaj” është theksuar e drejta e PAK-ve për qasje dhe lëvizje të lirë dhe më të sigurt brenda zonës urbane.
Shestan: Komuna të bëjë më shumë për personat me aftësi të kufizuara
“Kjo është performanca e fundit e projektit “Prizreni pa barriera”, që është edhe një intervenim shkurt i përkohshëm se ku mundet personi me nevoja të veçanta të ketë qasje në rrugë, sepse në anën e kundërt ekziston qasja, kurse në këtë anë nuk është shumë perfektë me standarde. Ky është edhe një mesazh për organet kompetente që mund të bëjnë shumë më shumë me investime më të vogla”, ka thënë Shestan.
Për më tepër, ajo ka bërë të ditur se tash i mbetet komunës së Prizrenit që të punojë më shumë në këtë drejtim, pasi tashmë dihet harta e barrierave në qytet për personat me aftësi të kufizuara.
Shestan: Komunës ia kemi ofruar hartën e barrierave
“Ne kemi edhe hartën e barrierave, kemi pengesat e cekura dhe ia kemi ofruar këtë komunës çka kanë mund të bëjë i mbetet vetëm komunës së Prizrenit dhe qytetarit të Prizrenit”, ka thënë Shestan.
Në hulumtimet e EC-it, viteve të fundit, qytetarët kanë veçuar si njërin prej shqetësimeve kryesore çështjen e lëvizjes së lirë në trotuare, gjë që duhet të kenë një adresim nga institucionet përgjegjëse.
Shestan: Kjo është jeta e përditshme e një personi me nevoja të veçanta
“Kjo është jeta e përditshme e një personi me nevoja të veçanta. Ura kalohet shumë herë në ditë edhe prej personave me nevoja të veçanta. Nuk është vetëm personi në karrocë, por është edhe personi i moshuar, por duhet të mos kemi rrezikun dhe të kemi qasjen si duhet dhe të mos lëndohet dikush edhe më shumë se sa që është i lënduar”, ka thënë ajo.
Ndërsa, Valon Xhabali nga Ec ma ndryshe, ka kërkuar nga institucionet që të bëjnë më shumë për të përkrahur personat me aftësi të kufizuar, pasi deri më tash nuk kanë ndërmarrë hapa në këtë drejtim dhe se ky aktivitet është edhe një thirrje drejtuar atyre për t’iu dalë në ndihmë kësaj kategorie të shoqërisë sonë.
Xhabali: Komuna nuk po ndihmon personat me aftësi të kufizuar
“Ky është edhe një aktivitet dhe mesazh me të cilin po ua dërgojmë institucioneve komunale, por edhe ato qendrore janë përgjegjëse për të rregulluar qasjen e personave me aftësi të kufizuara. Edhe viteve të kaluara kemi realizuar aktivitete të tilla të cilat dalin prej hulumtimeve dhe shqetësimeve të këtyre personave. Asnjëherë deri më tash nuk është ndërmarrë prej komunës, pasi personat me aftësi të kufizuara vazhdojnë të neglizhohen prej institucioneve”, ka thënë Xhabali.
Ai ka bërë të ditur se nuk do të ndalen me aktivitete të tilla dhe do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, ndërsa ka shfaqur shpresën se institucionet komunale do të marrin parasysh kërkesat për një qytet pa pengesa.
Performanca publike “Trotuare të qasshme për të gjithë” është realizuar në kuadër të projektit “Prizreni, një qytet pa pengesa”. Qëllimi i përgjithshëm i këtij projekti përfshinë ngritjen e pjesëmarrjes së Personave me Aftësi të Kufizuara dhe të rinjve në projektimin e “Prizrenit pa pengesa”.
Ndryshe, projekti financiarisht përkrahet nga USAID nga programi E4E, dhe mbikëqyret nga ATRC derisa zbatohet nga EC Ma Ndryshe dhe OPDMK.