“EC Ma Ndryshe” kritikon Prizrenin për ndarjen e subvencioneve për kulturë e rini

Prishtinë | 30 Maj 2018 | 13:59 | Nga

Organizata “EC Ma Ndryshe” ka reaguar në lidhje me ndarjen e subvencioneve per kulturë, rini dhe sport nga Komuna e Prizrenit.

Kjo organizatë ka bërë thirrje për kryetarin e kësaj komune që të rishikojë dhe përmirësojë tërë procesin e ndarjes së subvencioneve për kulturë dhe rini, duke vepruar në përputhje me legjislacionin si dhe praktikat e mira të qeverisjes.

Më poshtë mund të gjeni konstatimet e EC Ma Ndryshe, në lidhje me këtë çështje.

Çështja e parë problematike në këtë proces është emërimi i anëtarëve të Komisionit për shqyrtimin dhe vlerësimin e kërkesave, aplikacioneve (projekteve) të individëve dhe subjekteve të ndryshme nga fusha e kulturës dhe rinisë të cilat kanë aplikuar në thirrjen publike për mbështetje financiare nga lëmi i kulturës dhe rinisë në komunën e Prizrenit për vitin 2018. Kjo ngase anëtare e Komisionit në fjalë me vendimin e kryetarit të Komunës të datës 6 prill 2018 është caktuar një zyrtare e emëruar politike, përkatësisht shefja e kabinetit të kryetarit. EC përkujton se Rregullorja 04/2017 e Ministrisë së Financave mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve në nenin 8 paragrafi 7 thekson se “anëtarë të komisionit vlerësues nuk mund të jenë të emëruarit politik”.

Çështja e dytë që meriton vëmendje në këtë proces është se Komisioni për shqyrtimin dhe vlerësimin e kërkesave ka propozuar subvencionimin e dy OJQ-ve, anëtaret e të cilave janë njëherësh anëtare të Komisionit në fjalë, ani pse ato paraprakisht janë nominuar si përfaqësuese të grupeve të organizatave. Rregullorja 04/2017 e Ministrisë së Financave mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve në nenin 8 paragrafi 4 thekson se “përveç anëtarëve të rregullt të Komisionit Vlerësues nga paragrafi 3 i këtij neni, ofruesi i mbështetjes financiare duhet të parasheh me vendim edhe një anëtar rezervë, i cili do të zëvendësojë në rast nevoje anëtarin e Komisionit Vlerësues i cili ka konflikt interesi”. Bazuar në vendimin e kryetarit të Komunës të datës 6 prill 2018, del se Komisioni Vlerësues nuk ka pas anëtar rezervë.

Çështja e tretë sfiduese në lidhje me ndarjen subvencioneve për kulturë dhe rini është ndarja e mjeteve për ShKA “Agimin”. Në përgjigjen e DKRS-së thuhet se këto mjete do të menaxhohen nga strukturat udhëheqëse të SHKA “Agimi” dhe se kjo do të monitorohet nga Komuna përmes Komisionit për mbikëqyrjen apo monitorimin e realizimit të projekteve. Mirëpo EC përkujton kreun e Komunës se procesi për kristalizimin e situatës në këtë SHKA ende nuk është përmbyllur, ndërkohë që duhet të mbahet edhe një Kuvendi Zgjedhor demokratik për zgjedhjen e strukturave udhëheqëse të ShKA-së.

EC konstaton se vendimi i kryetarit të Komunës i datës 6 prill 2018 për formimin e Komisionit vlerësues nuk i ka respektuar dispozitat e rregullores 04/2017 të MF-së mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve. Po ashtu konsideron se propozim-vendimi i Komisionit vlerësues ngjall dyshime për konflikt të mundshëm të interesit.

Të ngjashme