Në Prishtinë sot është mbajtur marshimi tradicional “Ecja simbolike kundër kancerit të gjirit”, në kuadër të muajit të luftimit të kancerit në gji, siç edhe njihet muaji tetor.
Aktiviteti ka filluar me këngën e Eliza Hoxhës “Ecjen ti vazhdo” e cila është realizuar këtë muaj, i cili njihet si muaj ndërgjegjësues për këtë sëmundje. Ky aktivitet u organizua nga OJQ “Jeta-Vita”, dhe u mbështetur edhe nga Komuna e Prishtinës dhe organizata tjera.
Në këtë organizim, mori pjesë kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ish-presidentja Atifete Jahjaga, deputete të Kuvendit të Kosovës, përfaqësues nga jeta politike, shoqërore dhe qytetarë.
Jahjaga ka theksuar se mënyra e vetme për ta parandaluar këtë sëmundje është zbulimi i hershëm përmes kontrolleve të rregullta mjekësore, të cilat urgjentisht duhet të bëhen pjesë e kulturës tonë dhe në asnjë rrethanë nuk duhet të neglizhohen.
“Andaj sot dhe gjatë këtij muaji kur mobilizohemi për ta ngritur vetëdijen për rrezikun e kësaj sëmundje në komunitetet dhe rrethin tonë, ju bëj apel qe t’i kushtoni vëmendje shëndetit tuaj”.
“Përballja me kancer është e vështirë. Me këtë rast dua t’i falënderoj familjet që kujdesen për të afërmit e tyre, personelin mjekësor që ofron kujdes, aktivistët që angazhohen për ta ngritur vetëdijen për rëndësinë e kontrolleve mjekësore dhe rrethin që solidarizohet dhe mbështet të prekurit dhe familjet e tyre. Me kujdes të shtuar, kurajo dhe përkrahje, bashkërisht, nuk do të dorëzohemi në luftën kundër kësaj sëmundje”, ka thënë ajo.