Edhe 3 muaj paraburgim për 8 të dyshuarit për terrorizëm

Prishtinë | 05 Dhj 2016 | 13:48 | Nga

Gjyqtari Vehbi Kashtanjeva i Gjykatës Themelore të Prishtinës, me kërkesë të Prokurorisë Speciale, ka vendosur që t’ua vazhdojë edhe 3 muaj paraburgimin të dyshuarve për terrorizëm.

Prokuroria Speciale ka kërkuar vazhdimin e paraburgimit kundër 8 të pandehurve edhe për tre muaj, pasi ekziston dyshimi i bazuar se ata i takojnë organizatës terroriste ISIS, shkruan lajmi.net

Sipas dokumentit që arsyeton vendimin e paraburgimit, të cilin e posedon lajmi.net, të akuzuarit dyshohet se kanë marrë pjesë edhe në luftën në Siri gjatë muajve shtator-tetor të këtij viti.

“Sipas udhëzimeve të ish udhëheqësit të shqiptarëve në Siri, Lavdrim Muhaxherri, të gjithë të pandehurit ishin në përgatitje të sulmeve terroriste në territorin e Ballkanit, duke filluar në Kosovë”, thuhet ndër të tjera në këtë dokument.

“Poashtu, pas analizimit të informacioneve dhe implementimit të masave të fshehta, ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtit paraqesin rrezik potencial për sigurinë në territorin e Kosovës dhe shteteve në rajon”, konstatohet tutje në dokument.

Aty theksohet se për këtë periudhë tre mujore pritet të përfundojnë hetimet.

Grupi prej 17 personash, dyshohet se kanë kryer veprën penale “Përgatitje e veprave terroriste” ose vepra kundër Rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës.

Avokati i Liridon Morinës, njërit nga të arrestuarit, Nasuf Hasani, e ka konsideruar këtë akventim të papranueshëm.

“Ky aktvendim për vazhdimin e paraburgimit është i papranueshëm, ngase Prokuroria Speciale deri më tani nuk ka paraqitur asnjë provë relevante me të cilën do ta bënte të arsyeshme kërkesën për vazhdimin e paraburgimit. Duke pasur parasysh këto ne do të bëjmë ankesë brenda afatit ligjor në gjykatën e Apelit dhe shpresojmë se kjo gjykatë do t’i merr për bazë pretendimet tona dhe ta anulojë këtë vendim”, ka deklaruar Hasani.

Avokati ka vërejtje sepse paraburgimi është caktuar deri më datë 4.12.2016, ndërkaq vendimin e kanë pranua me një ditë vonesë. Ai deklaron se ky vendim është dashur të vij atë ditë, sepse tash sipas tij, gjykata i ka vënë në hutim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme