Kryesia e Alternativës, nëpërmes një deklarate, ka përshëndetur Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi.
“Alternativa e përshëndet Deklaratën e përbashkët të Kosovës dhe Malit të Zi për marrëveshjen e demarkacionit ndërmjet dy shteteve. Konsiderojmë se me këtë akt janë krijuar kushtet për konsensusin e plotë politik për ratifikimin e marrëveshjes për kufirin shtetëror me Republikën e Malit të Zi”.
Alternativa konsideron që për çdo çështje të interesit nacional duhet të ecet përpara me konsensus politik, dhe të nxirren mësime nga bllokada që i është shkaktuar vendit që gati 3 vite.
Partia që drejtohet nga Mimoza Kusari-Lila iu bënë thirrje partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës që unanimisht ta votojmë marrëveshjen dhe t’i hapim rrugë vendit për liberalizimin e vizave.
“Po ashtu, ju bëjmë thirrje institucioneve të sundimit të ligjit të shtetit tonë, që me seriozitetin më të madh të arrijnë rezultate të prekshme në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, për të shmangur çfarëdo pengese për liberalizimin e vizave”.