Australia është vendi më i fundit që i bashkohet listës së atyre që kanë dëbuar diplomatë rusë në kuadër të reagimit global ndaj helmimit të një ish-spiuni rus në Britaninë e Madhe.
Duke iu bashkuar reagimit të përgjithshëm, Australia dëboi dy diplomatë që besohet se janë agjentë të pashpallur të inteligjencës.
Kryeministri australian, Malcolm Turnbull tha se sulmi makabër në Salisbëri ishte një sulm ndaj të gjitha vendeve.
Më shumë se 100 diplomatë rusë u dëbuan nga mbi 20 vende si pjesë e reagimit të koordinuar nga SHBA dhe BE të hënën.
Rusia u zotua se do t’i kundërpërgjigjej këtij gjesti provokativ. Moska mohon çdo përgjegjësi në sulmin ndaj ish-agjentit Sergei Skripal dhe vajzës së tij, Julia. Ata u helmuan me gaz nervor dhe mbeten në spital, në gjendje kritike.