Një shtetas boshnjak i dyshuar për luftime në shtetin islamik në Siri është transferuar në Bosnje dhe është vënë në paraburgim, tha të shtunën zyra e prokurorisë së Bosnjes.
Pas rënies së kalifatit të vetëshpallur të Shtetit Islamik në Siri dhe Irak, vendet në mbarë botën po mundohen me mënyrën se si të merren me militantët dhe familjet e tyre që kërkojnë të kthehen, njofton Klan Kosova.
“I.C, 24 vjeçar është i dyshuar për vepra penale të organizimit të një grupi terrorist, formimit të paligjshëm dhe të bashkimit me formacionet paraushtarake apo para-policore të huaja dhe terrorizmin”, tha zyra e prokurorisë në një deklaratë.
Gjykata shtetërore e Bosnjës ka gjykuar dhe dënuar 46 njerëz që janë kthyer nga Siria apo Iraku në vitet e fundit.
Media vendase identifikoi të dyshuarin si Ibro Cufurovic nga qyteti veriperëndimor Velika Kladusa i cili, së bashku me Armin Curtin, 22 vjeç, nga Sarajeva, ishte arrestuar nga milicia kurde më shumë se një vit më parë.
Prokuroria tha se për rikthimin e tij kanë marrë ndihmë edhe nga SHBA-të. Shtetet e Bashkuara janë aleati i milicisë kurde që vepron në Siri veriore.
Sipas inteligjencës boshnjake, në vitin 2012-2016, 241 të rritur dhe 80 fëmijë u larguan nga Bosnja ose nga diaspora boshnjake për të shkuar në Siri dhe Irak, ku kanë lindur 150 fëmijë.
Rreth 100 të rritur, përfshirë 49 gra, mbetën atje, ndërsa të paktën 88 u vranë ose vdiqën.
Gjatë ditës së sotme edhe në Kosovë janë kthyer 110 persona nga zonat e luftës së Sirisë.