Edhe dy raste me Coronavirus, njëri nga Gjilani dhe tjetri nga Malisheva

Prishtinë | 22 Mar 2020 | 19:41 | Nga Ekonomia Online

Edhe dy raste të reja janë shënuar me Coronavirus në Kosovë sot, duke çuar kështu numrin e të infektuarve në 33.

Këtë e ka bërë të ditur IKSHPK përmes një njoftimi për media, në të cilin thuhet se një nga të prekurit është nga fshatu Vrapçiç i Gjilanit, e gjinisë femrore 50 vjeç, rast kontakti me një të infektuar pararakisht, ndërsa tjetri 53 vjeçar i gjinisë mashkullore nga fshati Domanek i Malishevës, që poashtu kishte pasur kontakt me një të infektuar më parë.

“Sot me 22.03.2020 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar dhjetë (10) mostra të dyshimta për virusin SARS-CoV-2 dhe dy (2) prej tyre janë pozitive. Dy prej rasteve pozitive janë raste kontakti njëri me vendbanim nga fshati Vrapçiç komuna e Gjilanit, e gjinisë femër me moshë 50 vjeç dhe tjetri me vendbanim nga fshati Domanek komuna e Malishevës i gjinisë mashkull i moshës 53 vjeç. Nga data 08.02.2020 deri me 22.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 577 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, gjithsej tridhjetë e tri (33) raste kanë rezultuar pozitive”, thuhet në njoftimin e IKSHPK’së.
Kujtojmë se gjatë ditës së sotme është shënuar edhe viktima e parë e këtij virusi në Kosovë, që doli të jetë 82 vjeçari i infektuar nga fshati Dumnicë e Podujevës.

Të ngjashme