Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë, lansoi fushatën për promovimin e djathit vendor të prodhuar 100 për qind nga qumështi, e realizuar në partneritet me Ministrinë e Bujqësisë, Shoqatën e Prodhuesve të Qumështit dhe Shoqatën e Qumështorëve të Kosovës.
Kryeshefi ekzekutiv i AVUK-ut, Valdet Gjinovci, tha se kjo fushatë vjen si nevojë e promovimit të cilësisë dhe sigurisë të produkteve, derisa shtoi se kampanja do të bazohet në punë cilësore, djathë tërësisht nga qumështi dhe përfitime shëndetësore.
“Qëllimi i këtij projekti nga këndvështrimi i AUV-it, bazohet në nevojën për të promovuar cilësinë dhe sigurinë e produkteve vendore. Në të njëjtën kohë, duke dëshmuar dhe duke kontribuar në monitorimin e cilësisë së këtyre produkteve. Dhe duke qëndruar fuqishëm pas garancisë që japim për këto produkte. Si deri më tani, sigurisht edhe në të ardhmen, AUV do të kontribuojë përmes kryerjes së testimeve laboratorike”, tha ai.
Gjinovci po ashtu bëri të ditur se janë duke bërë vaksinimin e gjedhëve kundër sëmundjes gungore të gjedhit.
Ai tha se AUV ka marrë si fazë emergjente edhe dy punë tjera, trajtimin e qenve endacak, dhe vaksimimin e kafshëve të egra në të gjithë territorin e Kosovës. Të dyja këto siç tha ai, pritet të fillojnë javën tjetër.
Brian Martalus, drejtor i zyrës për zhvillim ekonomik të USAID-it në Kosovë, tha se qëllimi kryesor i kësaj kampanje është që njerëzit të informohen për djathin e vërtetë, që sipas tij konsiston në ngritjen e vetëdijes për dallimin midis djathit të prodhuar tërësisht nga qumështi dhe djathit nga vajrat me bazë bimore.
“Qëllimi kryesor i kësaj kampanje është të rritet vetëdija e konsumatorëve siç thash, djathi që iu blini në markete, cili djathë është nga qumështi, dhe cili është nga vaji bimor e kështu me radhë, kështu që, Kosova është krenare që ka djathë të vërtetë. Ndoshta është më vështirë por ia vlen shumë. Kampanja që po e fillojmë sot, do të jetë një garanci dhe është një markë që do t’i vendoset djathit vendor të vërtetë”, theksoi ai.
Ndërsa, Isuf Cakiqi nga Ministria e Bujqësisë tha se në fokus të tyre është sektori i blegtorisë, gjegjësisht fusha e qumështit dhe se përveç përkrahjes së sektorit të blegtorisë, kjo ministri ka marrë edhe iniciativa për promovimin e produkteve të qumështit.
Cakiqi përmendi dy programe mbështetëse, atë përmes subvencioneve si pagesa direkte, ku shkon një pjesë e caktuar tek sektori i blegtorisë mbi masën 35 përqind, si dhe programin mbështetës përmes granteve. Krejt kjo, sipas tij, është bërë për të zhvilluar sektorin e blegtorisë apo qumështit, për të rritur sasinë dhe pastaj të ndikohet edhe në rritjen e cilësisë.
“Së pari të kemi sasi më të madhe të prodhimit, dhe njëkohësisht pastaj edhe përmirësimin e cilësisë. Dhe këto produkte pastaj, t’i ofrohen konsumatorit të vendit tonë, me të vetmin qëllim që ata të konsumojnë produkte sa më cilësore. Normalisht synimi jonë është që të konsumojmë në radhë të parë produkte vendore”, potencoi ai.
Ndërsa, Gani Durmishi, kryetar i Shoqatës së Qumështorëve të Kosovës, tha se janë të fokusuar në ofrimin e produkteve vendore për të zëvendësuar ato që importohen me sasi dhe cilësi.
“Ky djathë do të jetë me siguri pak më i shtrenjtë me siguri për xhepin tonë, por sido që të jetë e ka një mundësi pasi që konsumatori jonë e ka një mundësi të zgjedhë a po do djathë 100 përqind natyral me prejardhje shtazore apo po do djathë me ndërhyrje qysh na vjen nga jashtë”, u shpreh Durmishi.
Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit, Milazim Berisha, ka përgëzuar këtë fushatë, duke u shprehur optimist se do të ndikojë në rritjen e besueshmërisë së qytetarëve.
Ndryshe, AUV ka prezantuar “Vulën e Grancisë” të vendosur në secilin produkt djathi të certifikuar që tregon në paketimin e tyre se nuk përmbajnë vajra me bazë bimore, por vetëm qumësht të freskët.
Ndërsa fushata përfshinë një reklamë e cila do të transmetohet në televizion, duke promovuar djathin e bërë tërësisht nga qumështi.