Këtë vit shënohet 20-vjetori i fillimit të Misionit të KFOR-it në Kosovë, që pasoi fushatën e bombardimeve të forcave të Slobodan Milosheviqit, dhe me këtë rast NATO-ja rikonfirmon përkushtimin e saj për të vazhduar punën në Kosovë dhe në rajon.
Këto mesazhe janë dëgjuar në Bruksel, ku të enjten ka përfunduar takimi dyditësh i ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, në të cilin është diskutuar edhe për misionin e KFOR-it në Kosovë, shkruan Koha Ditore.
Siç ishte paralajmëruar edhe më herët, një prej temave të diskutimeve ka qenë edhe raporti i NATO-s me Forcat e Sigurisë së Kosovës pas vendimit që kjo forcë të transformohet në Ushtri, vendim ky i kritikuar nga disa vende anëtare të NATO-s, por i mbështetur nga disa të tjera.
“Kemi qenë në kontakt të ngushtë me autoritetet në Prishtinë gjatë tërë procesit. Unë kam shprehur në takime si me zotin Haradinaj ashtu edhe me Thaçin se besoj, e edhe aleatët besojnë, se ka qenë një vendim në kohë të gabuar për transformim nga Forcat e Sigurisë në Ushtri. Këtë e kam shprehur disa herë edhe publikisht dhe mbaj këtë qëndrim”, ka thënë shefi i NATO-s, duke folur edhe për tarifat që Kosova i ka vendosur për importin e mallrave nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina…