Besimtarët myslimanë në Kosovë, sikurse ata në gjithë botën, festojnë sot Kurban-Bajramin.
Për territorin e Kosovës, manifestimi qendror po mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.
Manifestimi ka nisur në ora 5:15, me faljen e namazit të sabahut. Më pas një ligjëratë tematike kushtuar kësaj feste, e ka mbajtur Hetem Sopjani, kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Prishtinë.
Namazi i Kurban Bajramit falet në ora 06:37 të cilit do t’i prijë Jakup Çunaku, drejtor i Medresesë “Alaudin” në Prishtinë. Nërsa mesazhin e Kurban Bajramit, të njohur si hytbe, do ta mbajë kryeimami Sabri Bajgora.
Me rastin e festës së Kurban Bajramit, Kryesia e BIK-ut organizon pritjen tradicionale për përfaqësues të ndryshëm institucionalë, politikë e personalitete të tjera. Pritja organizohet në selinë e BIK-ut nga ora 9:00 deri në ora 12:00.