Edhe Federata e Futbollit të Kosovës ka zyrtarizuar vendimin për të lejuar nga pesë zëvendësime për skuadër në vazhdim të kampionatit. Vendimin e mori IFAB-i kohë më parë, me propozim të FIFA-s.
Por organizatorët e garave e kanë pasur të drejtën të vendosin nëse do të aplikojnë ndryshimin. Në futboll zakonisht lejohen tri zëvendësime të lojtarëve për skuadër në ndeshje, por për të përballuar më lehtë ndeshjet dhe ngarkesën, organi përgjegjës për rregulla ka lejuar përkohësisht pesë zëvendësime, për edicionin aktual.
“Komisioni i Gjyqtarëve e ka aprovuar këtë ndryshim dhe ai do të zbatohet në vazhdimin e garave të këtij edicioni si në garat e Kupës së Kosovës ashtu edhe në kampionat. Kjo do t’iu mundësojë skuadrave që ta kenë më të lehtë përballimin e orarit të ndeshjeve në vazhdim”, thuhet në njoftimin e FFK-së.