Në Klinikën e Kirurgjisë Torakale të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, kirurgu i njohur botëror, dr. Diego Gonzales Rivas, nën asistimin e stafit të mjekëve të QKUK-së, po kryen operacione me metoda minimale invazive.
Drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Torakale, Saudin Maliqi, thotë se falë ndihmes vullnetare nga dr.Gonzales, po kryhen video operacione, përmes metodave minimale invazive. Sipas tij, ky mjek punon në gjithë botën dhe ka qendrën më të madhe që promovon dhe merret me këtë metodë inovatore.
” Kjo është metodë videokirurgjike që mundëson intervenim me metoda minimale invazive, do të punojmë 3 deri 4 raste, me prerje apo incizion 2 centimetra, kjo është metodë minimale invazive, pacienti të nesërmen shkon në shtëpi, ka pak dhimbje, kurse me operacion plaga hapet 15 deri 18 centrimetra” theksoi ai.
Në anën tjetër, dr. Diego, nënvizoi se kjo është hera e dytë që vjen në Kosovë dhe që operon pacientë me metodën më të avancuar.
Sipas tij, përfitimi i pacientëve dhe stafit të mjekëve është i lartë.
Ai u shpreh i kënaqur me interesimin dhe potencialin profesional që po tregojnë mjekët nga Kosova.