Sipas LDK-së, pjesëmarrja e spektrit ndërkombëtar në tryezën e bisedimeve, është e panevojshme dhe nuk ka ndonjë arsye të ketë ndërmjetës.
Tani kur Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës synojnë t’i harmonizojnë të gjitha qëndrimet, për qeverisjen e vendit në katër vitet e ardhshme, LDK ka thënë se ndërkombëtarët nuk duhet të “përzihen” në punët e të dy partive, shkruan Gazeta insajderi.
Kështu është shprehur zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa. Mustafa që njëkohësisht është edhe deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se të dy partitë, LDK e VV, i kanë marrë mbi 400 mijë vota mbi premisat që marrëveshjen ta arrijnë së bashku, pa faktorë të jashtëm.
“Nuk është diçka që e kemi diskutuar apo shqyrtuar më parë. Nuk e ka propozuar askush më parë por nuk besoj që nuk kemi nevojë për ndërmjetësues ndërkombëtar, jemi dy parti që i kemi marrë mbi 400 mijë vota të qytetarëve të Kosovës, besoj që mund ta arrijmë marrëveshjen përmes grupeve tona negociuese”, ka deklaruar zëdhënësi i LDK-së.
Kur bëhet fjalë për konsultimin me ndërkombëtarët, është pikërisht Lidhja Demokratike e Kosovës, që vazhdimisht është thirrur në emër të ndërkombëtarëve.
Deputeti i dikurshëm i kësaj partie, Adem Salihaj, kishte deklaruar se në zgjedhjet e vitit 2014, LDK me bekimin e ndërkombëtarëve, ishte bërë bashkë me PDK-në për krijimin e qeverisë në krye me Isa Mustafën.
Ngjashëm, partia e Isa Mustafës, kishte deklaruar se janë pro rrëzimit të Qeverisë Haradinaj dhe kjo po bëhej me dëshirën dhe dakordimin e ndërkombëtarëve.
“Ka edhe një dakordim ndërkombëtar që duhet ndryshim në Kosovë. Ka një dakordim që kjo lloj qeverisje nuk mund të vazhdojë. Ka një mos pranueshmëri absolute për këtë lloj qeverisje në të gjitha nivelet”, kishte deklaruar Arben Gashi, deputet i LDK-së.
Ndërsa, partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, është shprehur pro përfshirjes së ndërkombëtarëve në diskutimet për arritjen e marrëveshjes.
Anëtarja e Kryesisë dhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se partia e saj është pro ndërhyrjes së ndërkombëtarëve në procesin e marrëveshjes për koalicion qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Haxhiu ka thënë se janë duke punuar shumë në këtë drejtim dhe kanë kontakte të vazhdueshme me ambasadorë lidhur me këtë çështje.
“Unë besoj që tashmë ka pasur deklarime sa i përket ndërkombëtarëve, duke filluar nga ambasadori amerikan, gjerman, britanik etj me radhë, ata kanë deklaruar se e mbështesin vullnetin e qytetarëve të shprehur në zgjedhjet e 6 tetorit, kanë kërkuar që sa më parë të krijohen institucionet dhe besoj që kjo është shumë e vlefshme, prandaj, besoj që kjo çështje i përket të dyja subjekteve politike që të punojnë në këtë drejtim”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo ka thënë se për VV-në, është e mjaftueshme dëshira e ndërkombëtarëve në arritjen e marrëveshjes.
Ndërsa sa i përket takimit të radhës mes dy partive, Haxhiu ka deklaruar se janë dakorduar me LDK-në që kjo e fundit ta mbajë mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm dhe të vendosë për ndonjë takim të radhës.