Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj bashkë me zëvendësministrin e Arsimit, Heset Sahiti, kanë marrë pjesë në vënien e gurthemelit të shkollës “28 Nëntori” në Dobërdelan të Suharekës, raporton Ekonomia Online.
Limaj tha se po fillojnë punimet në këtë shkollë, në një fshat që i ka dhënë shumë Kosovës, me një investim prej 500 mijë eurove në shkollën e këtij fshati dhe në këtë mënyrë si shtet po e kthejë borxhin ndaj këtyre banorëve.
“Po fillojmë punimet e kësaj shkolle këtu, në këtë fshat besoj që Kosova po ja kthen një borxh të madh Dobërdelanit dhe Suharekës jemi në një fshat i cili ka një histori të jashtëzakonshme të historisë kombëtare e intelektuale, është një fshat që shtëpi për shtëpi ka qenë çerdhe e lirisë së Kosovës. Sot ndihem i nderuar që së bashku me kolegët e mijë po ia kthejmë një borxh këtij fshati, po ndërtohet një shkollë e cila kushton mbi 500 mijë euro, jam i bindur që përfundimisht do t’i plotësoj nevojat e këtij fshati, fëmijët do të kenë standarde më të lartat të shkollimit” , tha Limaj, raporton EO.
Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, falënderoi Qeverinë për projektin e shkollës në fshatin Dobërdelan dhe uroi nxënësit dhe personelin e shkollës.
“Sot Suhareka feston. Faleminderit zv. kryeministrit, urime nxënësve, personelit ta gëzoni”, tha Muharremaj.
Kryetari i fshatit Dobëdelan, Hysni Gallopeni, u shpreh i lumtur që më në fund po fillon ndërtimi i kësaj shkolle pasi që 10 vjet janë në pritje të objektit të ri.
“Jemi shumë të gëzueshëm që sot bashkë me personelin e shkollës që qe 10 vite e kemi dërguar projektin në ministri dhe në komunë dhe sot fal këtij po e realizojmë këtë projekt, faleminderit shumë”, tha ai, raporton EO.