Më pas askush nuk duhet të ketë mundësi të thotë që britanikët nuk patën shans për të zgjedhur midis alternativave. Sepse zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Britaninë e Madhe nuk janë gjë tjetër veçse një referendum i dytë për Brexitin. Një shans historik për t’i rivënë gjërat në vendin e duhur.
Akoma nuk ka ndodhur gjë, ende Mbretëria e Bashkuar është anëtare me të drejta të plota të BE dhe në Bruksel ka dërguar vetëm një copë letër. Por një gjë duhet të bëhet e qartë tani, këtë herë askush nuk duhet të thotë më vonë: unë nuk e dija, se çfarë do të thotë të jesh jashtë Bashkimit Evropian!”, ose “Unë mendova se së shpejti Turqia do të bëhet anëtare e BE!” ose “Po unë nuk doja që Mbretëria e Bashkuar të shpërbëhet dhe Skocia të shkëputet!”.
Të votosh dhe vetëm pastaj të mendosh për atë që ke bërë, këtë tani e kemi lënë pas. “Çfarë është BE?”, kjo është pyetja që shtruan qindra-mijëra britanikë në Google vetëm pak orë pas përfundimit të referendumit për Brexitin. Tani jo e njëjta gjë. Sepse gënjeshtrat e mbështetësve të Brexitit këtë herë ka kohë që janë demaskuar. Askush nuk flet më për miliardat për sistemin shëndetësor britanik, të cilat thuhet se kanë rrjedhur deri tani në Bruksel.
Po a ishte pikërisht kjo ajo që kishte në mend Theresa May, kur kërkoi zgjedhje të parakohshme parlamentare? Me siguri që jo. Në vend të kësaj, ajo po shfrytëzon shansin e momentit, sepse në sondazhe ajo ende kryeson në mënyrë të qartë . Po të nisin negociatat me BE edhe Zonjës së hekurt II do t’i duhet të bëjë kompromise. Kjo mund të kërkojë vota. Por kështu ajo mund të shpresojë për një mandat të ri, me të cilin asaj nuk do t’i duhet të pyesë në vitin 2020 se pse vazhdon të dërgojë para Britania e Madhe në Bruksel.
Sepse e tillë do të jetë gjendja. Zgjedhjet parlamentare i zvarrisin negociatat për Brexitin, një largim nga Brexiti ato zor se sjellin. Për këtë do të duhej që 48,1 përqind e britanikëve, të cilët votuan në referendum për të qendruar në BE, të bashkoheshin pas një partie. Pa dyshim që liberalët e Mbretërisë brohorasin. Kjo parti e vogël dhe deri tani forca e vetme proevropiane, do të fitojë disa vota shtesë.
Por socialdemokratët britanikë ndodhen në një krizë të thellë. Nuk ka gjasa që ata të shndërrohen në një forum për ata që duan të qendrojnë në BE. Por nëse May beson seriozisht se mund ta forcojë me një fitore në zgjedhje pozicionin e saj të negociatave në Bruksel, atëherë ajo i ka bërë llogaritë gabim. Skenarin kërcënues të një Brexiti të ashpër, për të cilin ajo ka nevojë si kapital në negociata, pas zgjedhjeve ajo zor se do të jetë në gjendje që ta ruajë dot.
Evropianët ndërkohë mund të vështrojnë efektin e fushatës elektorale të Brexitit. Sepse një efekt, referendumi në Evropë e ka bërë që tani: në të 27 shtetet anëtare po shtohet ndërmjetësimi për përparësitë që sjell Evropa. Me këtë shtohet edhe gatishmëria për të vuajtur në negociata. Dhurata nga Brukseli nuk do të ketë, aq më pak në fushatën elektorale. Në vend të kësaj do të ketë fjalë të qarta kundërshtimi dhe fakte transparente, nëse dikush i sulet sërish BE. Këtë herë, askush nuk do të presë që t’i thonë më pas se BE pati qëndruar i heshtur mënjanë, kur e ardhmja e përbashkët pati marrë tatëpjetën.