Është deklaruar edhe Parisi në lidhje me çështjen e aktualizuar së fundi për rivizatimin e kufijve midis Kosovës e Serbisë.
Franca, njësoj si Gjermania, është kundër ndryshimit të kufijve ndërmjet këtyre dy vendeve ballkanike.
E përditshmja e Beogradit, “Novosti” citon burime sipas të cilave në Konferencën me ambasadorët e Francës, të mbajtur javën e shkuar, në të cilën ishte i pranishëm edhe presidenti francez, Emanuel Macron, u tha preras se ky vend është kundër çfarëdo ndryshimeve të kufijve në rajon. Në lidhje me këtë çështje, qëndrimi i Parisit madje është edhe më i prerë se ai i Berlinit, transmeton Koha.net.
“Parisi zyrtar druan se çfarëdo “rivizatimi” kufijsh do të mund të shkaktonte reaksione zinxhir në rajon, madje edhe nëse do të theksohej se kjo ka të bëjë vetëm me marrëdhëniet midis Beogradit e Prishtinës”, raportohet të jetë thënë nga autoritetet franceze.
Kjo, në radhë të parë ka të bëjë me situatën sipas të cilës Republika Serpska (BeH) do të provonte shembullin e veriut të Kosovës. Francezët u përmbahen me rigorozitet parimeve të Badinterit sipas të cilave kufijtë e republikave brenda ish-Jugosllavisë (sipas Kushtetutës së vitit 1974) të shpallen kufij të shteteve.
Sipas kësaj gazete serbe, marrëveshja për Kosovën do të marrë formën përfundimtare pikërisht në Francë, në margjinat e kremtimit të 100-vjetorit të ngadhënjimit të aleatëve në Luftën e Parë Botërore, më 11 e 12 nëntor në Paris, transmeton Koha.net.
Rundi i ri i bisedimeve të Brukselit në nivelin e presidenteve, midis Hashim Thaçit të Kosovës, dhe Aleksandar Vuçiqit të Serbisë, me ndërmjetësimin e kryediplomates së BE-së, Federice Mogherini, është paralajmëruar të mbahet këtë të premte, më 7 shtator, rikujton Koha.net.