Jenniferi ka kaluar javët nëpër trotuaret e Qytetit të Vjenës, sikur njihet një zonë në Kumasi, qyteti i dytë më i madh në Ganë.
Kësaj pjese i ka dalë nami për jetën e gjallë të natës. Ajo kishte mbërritur në Ganë në maj, pasi ishte larguar nga dhoma e një bujtine në Lagos, qyteti më i madh tregtar në Nigeri, me shpresë se do të siguronte punë si kameriere ose do të bëhej pjesë e jetës së gjallë ekonomike.
Jennifer ia kishte mësyrë Ganës me planin që të ndante pak para dhe do ta ndihmonte nënën në shtetin qendror të Nigerisë, Ondo. Por pas një udhëtimi njëditor me autobus nga Lagosi për në Akra, ëndrrat e saj do t’i merrte era me të arritur në kodrat e gjelbra të Kunasit, shkruan Koha Ditore.
Tetë klientë në natë
“Të lutem, më nxirr prej këtu, kjo jetë është shkatërruese”, thekson ajo. “Ata më nxorën menjëherë në rrugë, duke më shtrënguar të prostituoj prej orës tetë të mbrëmjes deri në mëngjes në orët e hershme çdo ditë”, ka deklaruar ajo në një kafene në rrugën “Harper”, ku dëgjohen këngët e Rihannas nëpërmjet një sistemi të vjetër zërimi, përderisa edhe gra të tjera nigeriane të veshura me fustane të shkurta po prisnin se do të vinin klientë të mundshëm.
“Çdo natë pranoj deri në tetë klientë, dhe përfundoj me vetëm njëzet deri në njëzet e pesë dollarë”, tregon Jennifer.
Shumicën e parasë ajo ia kthen “sistemit” – një “zonje”, një grua nigeriane, dhe ndërmjetësve, si puna e menaxherëve të hoteleve. Gratë dhe vajzat si Jenniferi, disa prej të cilave edhe vetëm katërmbëdhjetë vjeç, janë viktima të një rrjeti trafikimi prej të cilit fitojnë njerëz nga Nigeria deri në Ganë.
Distrikti i vjetër i Dichemsos, zemra e zhvillimit biznesor, shtrihet në anën tjetër të qendrës së qytetit Kumasi.