Gjykata e Lartë kroate ka konfirmuar vendimin e shkallës së parë më të cilin vërtetohet se janë përmbushur të gjitha kushtet për ekstradimin e shtetasit shqiptar, Ismail Morina në Serbi.
Morina, i njohur ndryshe si “Ballisti”, në ndeshjen e futbollit ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë në Beograd në vitin 2014 e ka lëshuar dronin me flamurin e “Shqipërisë së Madhe”.
Për këtë gjest, Serbia kishte lëshuar fletarrest ndërkombëtar për të dhe ai muaj më parë u kap në Dubrovnik nga policia kroate, shkruan lajmi.net.
Me këtë vendim, i cili është publikuar në sajtin e Gjykatës së Lartë kroate, është hedhur poshtë si e pabazuar ankesa e mbrojtësit të Morinës ndaj vendimit të shkallës së parë të Gjykatës në Dubrovnik, më të cilën vërtetohet se janë përmbushur kushtet ligjore për ekstradimin e Morinës në Serbi.
Sipas procedurës ligjores, vendimin përfundimtar për ekstradimin e Morinës në Serbi do të marr ministri kroat i Drejtësisë.
Morina edhe më tej gjendet i paraburgosur në Durbovnik.