Duke i lexuar e dëgjuar disa piskamë njerëzish me rezon intelektual e human të cunguar, të cilët kërkojnë varje publike për të miturit kriminelë, logjikshëm vijmë në përfundim pse kemi kaq shumë të mitur e të rinj kriminelë në shoqërinë tonë. Janë pikërisht këto thirrje, të cilat dëshmojnë se kush qëndron prapa të miturve kriminelë.
Jo më pak se një profesor nga Parisi, Nezir Kraki, kërkon ligj ala Sheriat për të miturit tanë. Kërkon varje publike të fëmijëve të edukuar keq, të edukuar keq nga prind të papërgjegjshëm e nga shkolla sa për të thënë. Si ta quajmë këtë derëzi, i cili jeton në Paris e vendit tonë i propozon ligje antinjerëzore?
Kemi edhe të tjerë profesorë e “intelektualë” brenda Kosovës, të cilët po ashtu kërkojnë vdekjen për të mitur, por këta po i amnistoj nga krahasimet që meritojnë, sepse kurrë në jetën e tyre nuk kanë pirë kafe me mendësinë e humanizmit evropian.
Kthejeni pllakën për së mbari!
Ata dy të mitur që vranë një 18 vjeçar në Podujevë, janë produkt i shoqërisë dhe i familjes. Ata dy të mitur vetëm duart i kishin të vetat kur goditën për vdekje Luzimin e ndjerë. Bindjet, edukimin, modelin, trurin, kanunin, shkollën dhe gjithçka tjetër i kishin të kësaj shoqërie patriarkale.
Logjika e shëndoshë evropiane/humane thotë: kur të miturit bëjnë vepra kaq makabre, atëherë për rreth 60 për qind të këtyre veprave përgjegjëse është shoqëria dhe familja. Në Evropë, sa herë ndodhin gjëra të tilla, në të gjitha familjet hapen debate me fëmijët dhe bisedohet me ta për secilin detaj. Po ashtu, në të gjitha shkollat mbahen ligjërata rreth kësaj teme, duke e trajtuar dhe duke nxjerrë mësime për të miturit dhe adoleshentët. SA dhe SI bëhen debate te ne për ngjarje të tilla?
Shoqëria është në kurs të gabuar!
Për çdo krim që kryejnë të miturit, aq sa janë përgjegjës kryesit e veprave të tilla, aq janë familja dhe shoqëria përgjegjës.