Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka arritur në Prishtinë. Sikur shihet dhe në videon e Ekonomia Online, Rama ka hyrë në hotelin “Swiss Diamond” ku po mbahej takimi i liderëve partiakë kosovarë për të gjetur zgjidhje lidhur me demarkacionin.
Sipas burimeve të pakonfirmuara, Rama do të mundohet të përdorë autoritetin e tij për të ndikuar te liderët e opozitës për të gjetur një zgjidhje të përbashkët për këtë çështje që ka bllokuar tash sa kohë skenën politike në Kosovë.
Vetë Rama nuk është deklaruar për media.
Më herët, kreu i Qeverisë shqiptare ka pasur një takim dhe drekë me presidentin Hashim Thaçi, me të cilin dihet se ka marrëdhënie më miqësore se me liderët e tjerë institucionalë dhe politikë të Kosovës.
Në ambientet e Hotelit “Swiss Diamond”, sot pasdite, presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Isa Mustafa dhe përfaqësuesit e partive politike kanë mbajtur një takim. Por takimi, ku ishte edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, ka përfunduar pa ndonjë rezultat.
Ramush Haradinaj e ka lëshuar takimin, pasi siç deklaroi, nuk mundi ta durojë Isa Mustafën, “i cili foli sikur Murat Meha para një viti”.