“Edi Rama u kthye në kryezëdhënës dhe grumbulloi pushtet gjatë pandemisë”

Prishtinë | 03 Maj 2020 | 18:04 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Edi Rama zgjeroi rolin e tij politik dhe institucional pas emergjencës së shkaktuar nga pandemia e Covid-19. Këto janë konkluzionet e raportit të fondacionit gjerman “Friedrich Ebert”.

Raporti me titull: “Demokracia dhe gjendja e emergjencës”, del në përfundimin se:“Kryeministri ishte kryezëdhënësi dhe personalisht njoftoi çdo vendim të marrë, që nga hollësitë e kufizimit të orëve të liridaljes, justifikimi i vendimeve, e deri tek këshilla drejtuar qytetarëve që të mos dalin jashtë, të mbrojnë familjet e tyre dhe të mos harrojnë që të lajnë duart”.

Sipas raportit Rama u kthye në një kryezëdhëns dhe raportimet erdhën më së shumti nga ministritë se sa nga mediat.

“Në Shqipëri, media ka raportuar vazhdimisht krizën por pjesa më e madhe e raportimeve është bazuar në të dhënat e parapërgatitura nga stafi i ministrive. Kriza i ka dhënë Kryeministrit Edi Rama mundësinë që personalisht të marrë një pushtet më të madh politik dhe institucional. Kryeministri ka qënë kryezëdhënësi, duke njoftuar përsonalisht çdo vendim të marrë, duke nisur që nga detajet e fashës orare të mbylljes së vendit, tek justifikimi i çdo vendimi përfshirë edhe lajmërimin e njerëzve për ‘të mos dalë, për t’u kujdesur për familjen e tyre, dhe të lajnë duart”.

“Në disa raste ai ka dalë në televizor duke i kthyer përgjigje dhe dhënë shpjegime qytetarëve të cilët i kanë dërguar mesazhe në facebook. Përmes daljeve të tij ditore në TV dhe median sociale Kryeministri komunikoi masat dhe vendimet përpara se ato të hynin formalisht në fuqi”.

Raporti thekson faktin që kryeministri theksoi narrativën e tij te fakti që “Shqipëria është në luftë me një armik të padukshëm që mund të mposhtej vetëm me sakrificë”. Në raport nuk lihen pa përmendur as rastet kur Rama shfaqte parapëlqim për masat e ashpra. Si raste ilustruse në raport janë sjellë dy, së pari një postim, që Kryeministri më vonë e fshiu dhe së dyti një deklaratë në lidhje me politikat e Viktor Orban në Hungari për përballimin e krizës.

(Foto e videos së protestave në Algjeri, për të ilustruar gjetjet e raportit)

“Përmes narrativës së tij, Kryeministri tregoi se preferonte masat e ashpra. Ai publikoi në faqen e tij të Facebook një video, që tha se tregonte policinë spanjolle duke rrahur dhe gjurmuar njerëz me mesazhin; ‘ose respektoni distancimin social, ose do të duhet të vraposh’. Megjithatë, më vonë u zbulua se videoja nuk ishte nga Spanja, por nga Algjeria. Kur u pyet nga media italiane për Viktor Orban, që po shfrytëzonte krizën për të zgjeruar më shumë pushtet, Kryeministri Edi Rama deklaroi se ‘asnjë luftë nuk mund të fitohet duke qëndruar në mbrojtje;, vijon më tej raporti.

Sa i takon përplasjeve politike, të qeverisë me pushtetin vendor fondacioni evidenton vetëm rastin e Shkodrës. Në kryeqendrën e Veriut pati reagime nga kryedemokratja Voltana Ademi, që replikoi me ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj. Ndërkaq masat u respektuan në të gjitha bashkitë, përfshirë ato që drejtohen nga kryebashkiakë të Partisë Demokratike. Ndërkaq, një tjetër episod që përmendet janë “show’-t e kryetarëve të bashkisë, që e përdorën për marketing personal krizën.

“Kryebashkiakët kapën mundësinë për të treguar një politikë personale, duke u shfaqur çdo ditë në media duke dorëzuar pako me ushqime tek njerëzit, megjithëse vështirë se njerëzit presin pikërisht këtë nga kryebashkiakët”, thotë raporti.

Të ngjashme