Prishtina International Film Festival- PriFest mbrëmë në ambientet e Kino Armatës ka hapur edicionin e 17-të me radhë, me filmin “NGRYK” të regjisorit Ilirjan Himaj, shkruan KultPlus. Sikurse është bërë traditë, ceremonia hapëse grumbulloi një numër të madh artistësh e regjisorësh të cilët ndër vite i kanë kontribuar dhe vazhdojnë t’i kontribuojnë vendit me projektet e tyre filmike, që shpeshherë vlerësohen në festivale të ndryshme në botë.
Filmi “NGRYK” erdh para publikut nga një kastë aktorësh të zgjedhur në përbërje me: Valmir Krasniqi, Era Balaj, Agron Shala, Astrit Kabashi dhe Teuta Krasniqi, duke eksploruar tematikat mbi lirinë personale, mbijetesën, dashurinë dhe krimin. Në qendër të filmit janë dy personazhet kryesore Agu dhe Tina, dy të rinjë, fati i të cilëve lidhet në rrethana të ndryshme, që në sekuenca të caktuara përkon me fantazinë. Tina një vajzë e re nga një provincë e Kosovës, synon të realizojë ëndërrën e saj për të kënduar, nëpërmjet një rruge jo të drejtë.
Pasi lokalizohet në një apartament, i cili i ishte siguruar nga një ministër, ëndrra e Tinës fillon të fashitet kur i duhet të plotësonte kërkesat e tij, duke ia dhuruar trupin e saj, sa herë që ai t’ia kërkonte. Ndërkaq, Agu shfaqet si fqinj i saj. Ai përballet me një luftë të brendshme pas vrasjes së të dashurës së tij. Në një dimension tjetër botërat e tyre përkojnë me atë të një ariu dhe një drenushe që pas vetes gjithmonë kanë gjuetarin. Kurse, ministri (Astrit Kabashi) një njeri që gjeneronte të ardhura dhe biznese të shumta paraqitet si njeri i pushtetshëm që stresin dhe ngarkesat e punës do t’i shkarkojë përmes kënaqësisë me Tinën (viktimë), qoftë edhe duke e dhunuar.
“Dashnoret janë pikë e dobët e politikanëve”- ishte një fjali e rojes së ministrit, që me besnikëri e ruante punëdhënësin e tij edhe nga Agu. Dy protagonistët kryesorë ishin në dijeni për jetën e errët të njëri-tjetrit. Dhe të dy përpiqeshin për ta shpëtuar tjetrin drejt një “parajse”. Agu arrin të tërheqë Tinën nga duart e ministrit, mirëpo në fund ai vet e pëson nga roja e ministrit, që gjatë tërë kohës kishte instiktin e një gjahtari, i cili me padurim pret të vret prenë e tij.
Në një prononcim për KultPlus, aktori Valmir Krasniqi tha se realizimi i këtij filimi ka qenë një përvojë unike e cila i ka ndihmuar të rritet në aspektin artistik.
“Ka pasur përvoja të ndryshme që më kanë ardhur direkt gjatë realizimit të këtij filmi. E kam kuptuar sa ka qenë e veshtirë të qëndrosh konsistent për 37 ditë gjirim, sa është veshtirë të përthithësh energjinë e errët të personazht te vetja dhe pastaj të jetosh me të edhe pasi të përfundojë filmi. Kanë qenë disa skena ku është dashur të dalësh pak jashtë vetes. Sfiduese kanë qenë skenat me ujë të ftohtë, por unë besoj që gjithë këto përvoja më kanë bërë aktor edhe më të mirë dhe njeri edhe më të fortë”, ka thënë aktori Valmir Krasniqi.
Tematika thelbësore e trajtuar në film është mjaft aktuale, ndonëse nuk është diçka që lidhet ngusht me Kosovën. Dhe, sipas Krasniqit temat që kanë të bëjnë me çështjen e pushtetit dhe fuqisë së njerëzve që janë në pozita udhëheqëse duhet trajtuar nga kënde të ndryshme.
“Mesazhi është që ëndrrat duhet të ndiqen në mënyrë të drejtë, nuk ka nevojë të zgjedhen rrugë të errëta për t’i ndjekur ato sepse në fund kur mbërrihet qëllimi apo kur gjendesh në majë të bjeshkës të cilën e kemi kërkuar, dhe nëse kemi përdorur metoda të ndryshme atëherë nuk do të kishte qenë kënaqësia e njejtë në mënhyrën se si do të shijonim suksesin”, ka thënë ai.
Ndërkaq, ajo që e ka bërë këtë film të veçantë sipas regjisorit Ilirjan Hima, ka qenë skenari me një dimension që në sekuenca të ndryshme prekte edhe fantazinë.
“Filmi dhe skenari me kohë ka evoluar dhe është lidhur me vendin dhe me aktualitetin. Sipas meje filmi gjithmonë duhet t’i jepet dimension fantastik, pavarësisht sa është i afërt me realitetin sepse sipas meje sa më shumë fantazi aq më e mirë përmbajtja e filmit. Prandaj edhe filmi “Ngryk” e ka këtë ngjyrim fantastik. Është i ngjyrosur me një atmosferë përralle, që nëse e zbërthejmë më tej flet për miqësinë mes një ariu dhe një drenushe në rrethana të caktuara, që gjithmonë pranë e kanë një gjahtar që i ndjek prapa. Filmi flet për Agun dhe Tinën dy të rinj të cilët e gjejnë njëri- tjetrin në rrethana të pazakonta dhe përpiqen të tërheqin njëri-tjetrin nga një jetë e vrazhdë njerëzore. Ata kërkojnë të arratisen në një realitet imagjinar që të gjejnë paqen e botës së egër. Prandaj të dy personazhet janë një lloj personifikimi i ariut dhe drenushës që kërkojnë lirinë e tyre personale”, ka thënë ai.
Kurse, bashkëpunimin me artistët ai e quan të jashtëzakonshëm, falë të cilit ka arritur deri te një rezultat sipas tij shumë profesional.
“Kemi kaluar përmes një prcesi të gjatë bisedimesh dhe një lloj kërkimi për personazhet që ata do të interpretojnë. Bashkëpunimi ka qenë shumë profesional, dhe persoazhet janë shumë komplekse dhe shumë të vështira. Jam përpjekur që të dy aktorët t’i vendos në një atmosferë imagjinare që t’i shkëpus sa më shumë prej realitetit dhe filmi mos të përngjajë me një edicion të lajmeve. Është dashur që të bëjmë një lloj rrugëtimi të përbashkët me ta dhe me aktorët e tjerë dhe ta krijojmë realitetin e filmit që është “The story world”, duke ndërtuar një botë të rrëfimit, një botë të veçantë të filmit, ku pavarësisht që ne i shohim persnazhet që ballafaqohen me një realitet të Prishtinës, filmi na vjen si një përrall apo një atmosferë ëndërre, gjysmë realitet dhe gjysmë imagjinar”, ka thënë ai.
“Skena të caktuara japin mesazhe të caktuara, por një mesazh i përgjithshëm që unë kisha dashur që audienca të merr prej këtij filmi është një kërkim për lirinë personale dhe një rrugëtim drejt një “parajse” ku gjithçka është e qetë dhe e bukur si në botën e kafshëve”.
Në fjalimin e ceremonisë hapëse, drejtori i festivalit, Fatos Berisha i ka falënderuar të gjithë për pjesëmarrje në këtë mbrëmje të rëndësishme artistike.
“Jam shumë i lumtur që jeni këtu, dhe shumë më i lumtur që përkrah meje është drejtoresha e kinematografisë së Kosovës, Blerta Zeqiri. Bashkëpunimi ynë është i një rëndësie të veçantë jo vetëm në javën e PriFest-it, por për tërë punën që e bën QKK-ja me industrinë filmike të Kosovës”, ka thënë ai.
Ndërsa, drejtoresha e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqiri, ka thënë se pjesë e bashkëpunimit të QKK-së dhe Prifest është edhe një punëtori nga e cila do të përfitojnë artistët e rinj.
“Faleminderit për punën që e bëni për realizimin e këtij festivali që sa e sa vite, duke e mbledhur industrinë e filmit për të parë punën të cilën e kemi bërë nëpër botë dhe për t’i takuar njerëzit që i kanë realizuar ato punë në mënyrë që të fillojmë të realizojmë projekte të reja. Ne si QKK jemi shumë të lumtur që ky është viti i tretë me radhë që jemi bashkëpunëtorë të festivalit, duke e mundësuar edhe këtë koktej të hapjes së festivalit, që vjen për nderë të një filmi, i cili është subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës. Edhe këtë vit, sikurse herën e kaluar kemi krijuar një punëtori për aktorët e Kosovës. Kemi sjellë kastë të regjisorëve nga Evropa, të cilët do të punojnë gjatë dy ditëve këtu. Ju uroj të gjithëve një festival të bukur, uroj që të vazhdojë kinematografia edhe më tutje të ketë shumë suksese”, ka thënë ajo.
Sonte, në kuadër të Prifest do të jepet filmi “Lavez” nga një produksion i Malit të Zi, në ora 19:30, në Kino Armata./ KultPlus.com