Këngëtarja e njohur shqiptare, Edona Llalloshi, duket se ka siguruar edhe një mandat tjetër si deputete në Kuvendin e Kosovës, pas rezultateve të deritanishme të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit.
Llalloshi garoi në këto zgjedhje në listën e Lëvizjes Vetëvendosje me numrin 29 dhe, sipas numërimit të mbi 97 për qind të votave, ka arritur të grumbullojë më shumë se 31,300 vota.
Ky rezultat e rendit aktualisht si kandidaten e 20-të më të votuar në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, duke i siguruar asaj një ulëse në Kuvend për një mandat të ri.

Rezultati i Edona Llalloshit me 97% të votave të numëruara (Foto: KQZ)
Artistja e njohur iu bashkua Lëvizjes Vetëvendosje në shkurt të vitit të kaluar dhe që nga hyrja e saj në politikë ka dëshmuar mbështetje të vazhdueshme nga elektorati. Në tri palë zgjedhje të mbajtura brenda një periudhe prej rreth një viti e gjysmë, ajo ka arritur çdo herë të sigurojë votat e nevojshme për t’u zgjedhur përfaqësuese e qytetarëve.
Megjithëse rezultati i këtij viti është më i ulët krahasuar me zgjedhjet e dhjetorit, kur kishte fituar 44,395 vota, Llalloshi mbetet një nga figurat më të votuara brenda subjektit të saj politik.
E njohur prej vitesh si një nga emrat më të dashur të muzikës shqiptare, Edona Llalloshi tashmë po vazhdon paralelisht rrugëtimin e saj në skenën artistike dhe atë politike, duke siguruar kështu mandatin e saj të tretë si deputete në Kuvendin e Kosovës. /Telegrafi/