Edukimi, zemra dhe ndërgjegjja e njerëzimit

Prishtinë | 20 Sht 2016 | 19:05 | Nga

Edukimi dhe arsimimi përbëjnë një temë jetike në jetën individuale dhe në jetën e shoqërive. Së pari, në planin individual, një njeri mbetet i tillë në raport të drejtë me mirësinë që ushqen në vetvete.

Thuajse kushdo e kupton dhe e vlerëson rëndësinë e edukimit trupor të njeriut, por të paktë janë ata që e kuptojnë dhe e vlerësojnë edukimin moral, ideal e sentimental të njeriut. Së dyti, ekzekutimi i çdo elementi negativ brenda një kombi, nuk është një rrugë efikase për shpëtimin e tij.

Shërbimi më efikas që mund t’i bëhet një kombi është edukimi i brezave me një frymë të lartë vlerash morale universale dhe me ndjenja të vërteta kombëtare.

Shkolla është institucioni që hedh dritë mbi ngjarjet jetësore dhe u jep nxënësve mundësinë të kuptojnë atë që ndodh rreth tyre. Njëkohësisht shkolla hap rrugën për të mësuar në një mënyrë shumë të shpejtë lëndën dhe ngjarjen, duke e përgatitur njeriun mendërisht, duke parashtruar drejtimin e tij dhe duke e mësuar të gjejë uniken në mes të tërësisë, virtytet e aftësitë e fituara në shkollë janë udhërrëfyesi i tij në rrugën drejt urtësisë .

Nga ana tjetër mësuesi është një udhërrëfyes i përsosur, që i jep formë gjithë jetës së njeriut. Ndikimi i mësuesit mbi individin është shumë më i madh se ndikimi i prindërve apo i shoqërisë.

Në një shkollë të mirë, mësuesi është ai që mbjell e që ruan farën e pastër e të pafajshme. Sikurse është përgjegjësia e tij që të kujdeset për mirësinë e mbrojtjen, ashtu është detyrë e tij edhe të bëhet shembull me sjelljen e vet ndaj ngjarjeve të ndryshme dhe ndaj gjetjes së qëllimit në jetë prej individëve.

Kështu, që në periudhën e hershme të jetës shkollore, nxënësit i duhen mësuar së pari gjuha, ideali, besimi, morali e karakteri, pastaj duhet synuar ndërtimi i një personaliteti të shëndoshë mbi këto themele. Qëllimi i mësimit duhet të jetë përgatitja intelektuale e sociale në përshtatje me kohën e vendin ku jeton dhe shtytja e tij drejt një mënyre të menduari, që nxit zhvillimin e lulëzimin në çdo fushë.

Pasi të arrihen këto perspektiva, duhet përgatitur specializimi i nxënësit për art, shkencë, bujqësi, financë apo teknikë. E gjitha kjo është e lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me zhvillimin në paqe të shoqërisë, me moralin e besimin e saj, me sukseset në fushat e ndryshme të shkencës, artit e teknikës.

Njerëzimi nuk përbëhet vetëm prej zemrës dhe ndërgjegjes. Edukimi duhet të synojë dimensionin material të njerëzimit, po aq sa synon edhe dimensionin shpirtëror, në mënyrë që të arrijë unitetin.

Edukimi dhe arsimimi krijojnë mundësinë e një konkurrence aktive dhe kreative në shoqëri. Njeriu i arsimuar kërkohet të jetë i aftësuar për të përballuar standardet bashkëkohore për t’u bërë pjesë e një tregu global të dijes, në të cilin dominon cilësia dhe konkurrenca.

Mësuesi në përgjithësi, qoftë nëna, babai, apo të vjetrit, mësuesi përmes konceptesh, apo përmes shembujsh, është saktësisht ndihmësi, që i ndihmon njeriut të perceptojë drejt dhe kështu t’i kapërcejë keq perceptimet. Edukimi është i vetmi proces i shpëtimit, sepse edhe sipas formulës sokratike, “dija është virtyt”.

Mësuesi është si një mjeshtër, në duart e të cilit, metalet pastrohen, duke u shndërruar në ar të pastër dhe argjend të shndritshëm. Në këto duar mistike, edhe gjërat më të papërpunuara dhe më të paçmueshme, shndërrohen në diamante të vlefshme. Asnjë fabrikë nuk mund të punojë aq shpejt dhe aq sistematikisht sa mësuesi.

Askush përveç mësuesit nuk mund t’u rrëfejë gjerësinë e spektrit emocional njerëzve rreth tij dhe të bëhet pjesë e ekzistencës së tyre.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme