Taksa prej 100 për qind e vendosur nga Qeveria e Kosovës për produktet e importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina ka bërë që të rritet konsumimi i produkteve vendore, thonë përfaqësues të bizneseve.
Aleanca Kosovare e Biznesit ka bërë një hulumtim lidhur me ndikimin e taksës 100 për qind në ekonominë kosovare nga data 21 nëntor deri më 5 dhjetor 2018. Në këtë hulumtim, AKB thuhet të ketë anketuar 300 kompani të zgjedhura në industrinë ushqimore, tregtare, shërbyese dhe të ndërtimtarisë me 250 konsumatorë të Kosovës.
Lumnije Ajdini, menaxhere e përgjithshme e AKB-së, bënë të ditur për Radion Evropa e Lirë se në bazë të hulumtimit del se te bizneset kosovare, masa prej 100 për qind, ka dhënë efekte pozitive për prodhimin vendor.
Prodhimtaria vendore, shton Ajdini, përgjatë kësaj periudhe kohore ka shënuar rritje për 25 për qind.
“Bizneset tregojnë se është rritur shitja e produkteve të tyre përgjatë kësaj periudhe që nga vendosja e taksës 100 për qind, në industrinë ndërtimore 40 për qind, në atë ushqimore 25 për qind, transport 20 për qind, tregti dhe shërbime 5 për qind dhe të tjera 10 për qind, për shkak se prodhuesit e Kosovës kanë rritur kapacitete prodhuese është rritur edhe punësimi”, thotë Ajdini.