Zgjedhja e kryetarit/kryetares të Kosovës përmes deputetëve të parlamentit është një gabim në Kushtetutë, të cilin jo pak kush nga partitë politike, përfshirë edhe VV-në, e kanë kritikuar deri më tash.
Kritika janë bërë kryesisht atëherë kur kandidati apo i zgjedhuri nuk vinte nga radhët e partive që kritikonin, e të cilat në të njëjtën kohë shpreheshin për zgjedhje të një kryetari jo-partiak, apo thërrisnin për ndryshim të kushtetutës për të zgjedhur kryetarin përmes votës popullore.
Deri në ndryshimin e kushtetutës, natyrisht nëse ka vullnet nga krejt partitë politikë për ndryshimin e saj, VV-ja e Albin Kurtit, dhe në këtë rast edhe aleatja e tij, Vjosa Osmani, do të duhej të japin shembull të mbajtjes së fjalëve për ndryshimet, dhe të hapin derën aty në parlament për të zgjedhur një kandidat jo-partiak.
Gjatë fushatës zgjedhore, ishte vet VV-ja ajo e cila ka shpërndarë fjalë nëpër Kosovë jo zyrtarisht, dhe votues të saj, se e kanë një marrëveshje të heshtur me Murat Jasharin, për kandidimin e tij për postin e Kryetarit të Kosovës.
Kjo bëhej, pikërisht, me arsyetimin për të detyruar partitë e tjera, për të mos qenë në gjendje refuzuar zotëri Jasharin për post, si kandidat jo partiak dhe me këtë për të mos detyruar vendin që të shkojë përsëri në zgjedhje të reja.
Mirëpo, me të fituar zgjedhjet, emri i Murat Jasharit, tashmë nuk po dëgjohet më në kombinimet për post. Vjosa Osmani, tashmë është bërë opsioni i vetëm për post, edhe për VV-në dhe për vet Albin Kurtin.
Të gjithë ata të cilët kanë votuar VV-në dhe Listën Vjosa Osmani, kanë votuar për “ndryshim”. E ndryshimi tash, mund të fillojë që të bëhet nga pikërisht dhe personalisht nga zotëri Kurti dhe zonja Osmani, duke filluar me heqje dorë të kandidaturës së Osmanit dhe kandidimin e Murat Jasharin.
Vjosa Osmani dhe as VV-ja nuk kanë nevojë që të humbasin kohë me akuza ndaj partive kundërshtare politike për bllokimin e postit të kryetarit të vendit, nëse ato nuk do t’ia bëjnë asaj, kuorumin në parlament për zgjedhje në post, duke pasur parasysh mendësinë e tashme të partive politike të vendit.
Nuk kanë nevojë që të lusin PDK-në LDK-në dhe AAK-në që t’ia bëjnë kuorumin e dy të tretave në parlament zonjës Osmani.
Nuk kanë nevojë, sepse rrugëdalja është pikërisht në vet duart e Osmanit, e cila do të duhej që të heqë dorë nga kandidatura dhe të jap shembull se çka është sakrifica personale për post, pikërisht në të mirë të vendit, në të mirë të karakterit kushtetues unifikues të postit të kryetarit të vendit dhe në të një njëjtën kohë edhe të evitimit të ngërçit institucional në situatën aktuale përplot tensione midis partive të tashme në Kosovë.
Prandaj, pikërisht Zonja Osmani, do të duhej të ishte ajo e cila do të duhej personalisht të propozojë Murat Jasharin për postin që ajo po insiston që ta ketë vet.
Në këtë skenar, hapi i dytë që Albin Kurti, VV-ja, Vjosa Osmani dhe lista e saj, do të duhej që ta bëjnë është ndryshimi i kushtetutës për të zgjedhur kryetarin e vendit përmes votës popullore dhe për t’iu dhënë fund tregtive politike brenda parlamentit midis partive politike për dhe rreth postit të kryetarit.