“Kush o kush, zor me fol tash unë”, ka thënë kryeministri Haradinaj teksa i është kërkuar të komentojë rolin që do ta ketë Thaçi dhe ekipi i mandatuar prej tij, në negociatat me Serbinë, shkruan sot Koha Ditore.
E ka dhënë këtë qëndrim disa orë pasi i ka shkuar në adresë letra që mban firmat e përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, komisares për Tregti, Cecilia Malstrom, dhe komisarit për Fqinjësi dhe Zgjerim, Johanes Hahn. Nëpërmjet saj, Haradinajt i është kërkuar që ekipi i mandatuar nga Kuvendi “t’i mbështesë përpjekjet e Thaçit në dialog”.
“Letra kërkon që ekipi të jetë input dhe mbështetës i presidentit, por ajo nuk është obligative për neve se si i kryejmë punët në Kosovë”, ka thënë Haradinaj. Por ka shtuar se rolin kushtetues të presidentit nuk mund ta mohojë askush.
“Tani kemi një situatë të re, dihet se në të kaluarën dialogu politik është udhëhequr nga presidenti dhe kemi pasur dialogun teknik. Tani Parlamenti e ka votuar delegacionin. Pozicioni i Qeverisë është t’i mbështesë institucionet në dialog – presidentin, Kuvendin, këtë rast delegacionin. Presidenti është institucion kushtetues, sikurse edhe delegacioni të cilin e ka votuar Kuvendi që është legjitim”.