Amerikanët të interesuar për projekte të riciklimit dhe energjisë në Kosovë

Prishtinë | 03 Pri 2018 | 12:43 | Nga

Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, është takuar me përfaqësues të kompanisë amerikane “Ekobase Global”.

Sipas njoftimit, amerikanët e njoftuan Gashin me planet për projekte konkrete në fushën e riciklimit të gomave të vjetra dhe energjisë së ripërtërishme.

“‘Ekobase Global Inc.’ është duke implementuar projekte të ngjashme edhe në Slloveni, Spanjë ndërsa kemi dëshirë që të përfshijmë edhe Kosovën në këtë iniciativë që është duke marrë përmasa globale”, tha Tomaz Groff, drejtori i kompanisë për Evropë, duke shtuar se në Kosovë kanë ardhur për të shikuar edhe mundësi të tjera të investimit në fushën e energjisë së ripërtërishme.

Gashi, sipas njoftimit, i informoi këta përfaqësues lidhur me mundësitë që ofrohen sipas Ligjit për Investime Strategjike.

“Ne momentalisht konsiderohemi si shteti më liberal për sa i përket mundësive të cilat u ofrojmë investitorëve që potencialisht kualifikohen si investitorë strategjik në fushën e minierave, energjisë dhe turizmit. Deri tani kemi marrë aplikacionin e parë në fushën e energjisë solare nga një kompani shqiptaro – gjermane, ndërsa presim së paku edhe 4 aplikacione në fushën e minierave”, ka thënë Gashi.

Në fund u dakorduan që në vizitën e ardhshme në Kosovë të diskutohen edhe modalitetet konkrete të projektit në fjalë, theksohet në njoftim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme