Bordi i shkarkuar i Drejtorëve i ‘Korporata Energjetike të Kosovës’-SH.A, vlerëson se shkarkimi i Bordit të Drejtorëve, përveç që është i kundërligjshëm, vendim politik dhe pa asnjë bazë ligjore, është edhe i turpshëm, me qëllime të ulëta për të mohuar sukseset dhe me tendencë për të destabilizuar dhe shkatërruar një ndërmarrje publike që me mund e sakrificë ka arritur të jetë më e suksesshmja në Republikën e Kosovës.
Ata kanë vlerësuar se veprimet e ndërmarra, nga Qeveria e Republikës së Kosovës, me rastin e shkarkimit të Bordit të suksesshëm të KEK-ut – SHA, ka cenuar normat e Ligjit mbi Ndërmarrjet Publike si dhe kanë cenuar autoritetin dhe prestigjin e veçantëve të bordit tashmë të shkarkuar.
Kjo është komunikata e plotë:
Kundërshtimi i Vendimit të Qeverisë nr.01/26 data 23 prill 2020
Nga mjetet e informimit, jemi informuar se Qeveria e Republikës së Kosovës, me dt.23.04.2020 ka shkarkuar Bordin e Drejtorëve të “Korporatës Energjetike të Kosovës”-SH.A, me seli në Prishtinë, me arsyetim, dhe po citojmë:
,,Bordi i Drejtorëve i kanë shkelur detyrat fiduciare dhe nuk kanë vepruar në interesin më të mirë të ndërmarrjes, me që nuk i kanë adresuar siç duhet problemet kyçe”, duke emëruar bordin e përkohshëm të këtij subjekti juridik.
Për shkak se Qeveria e Republikës së Kosovës, Vendimin e sipërshënuar e ka bazuar në konstatim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, pasojë e së cilës, në këtë çështje juridike, gabimisht janë aplikuar normat materiale dhe procedurale, Vendimin e sipërshënuar duhen ta anulojë si të kundërligjshëm dhe politik.
Sipas dispozitave të nenit 7 të Ligjit Nr.03/L-087 për Ndërmarrjet Publike (Mbikqyrja nga Aksionarët dhe Njësia për Politikat dhe Monitorimin e NP-ve), parashihet që, po citojmë:
7.1 Aksionari(ët) e një NP do të ushtrojë mbikëqyrje të vazhdueshme dhe rigoroze të veprimtarisë së Bordit të Drejtorëve dhe Komisioneve të Auditimit të NP-së në fjalë.
7.2 Nëse performanca e NP-së devijon nga caqet e përcaktuara në Planin e Biznesit të miratuar nga Bordi i Drejtorëve për vitin përkatës financiar, Aksionari(ët) do të kërkojnë nga Bordi i Drejtorëve që të përgatisë dhe t’u dorëzojë atyre një raport i cili i shpjegon arsyet për performancën e dobët, dhe Aksionari(ët) do të marrin të gjitha masat e duhura korrigjuese.
7.3 Sido që të jetë, nëse një NP dështon në arritjen e caqeve të saj të performancës për dy vite financiare radhazi, personi(at) përgjegjës për ushtrimin e të drejtave përkatëse të aksionarit është i detyruar që të marrë parasysh shkarkimin dhe zëvendësimin e Bordit të Drejtorëve ose shumicës së anëtarëve të tij. Një veprim i këtillë mund të ndërmerret edhe në mungesë të provave bindëse të neglizhencës nga Bordi ose anëtarët përkatës të bordit, përveç nëse Aksionari(ët) konstatojnë se performanca e dobët ka ndodhur kryesisht për shkak të rrethanave ose ngjarjeve negative të paparashikueshme. Personat përgjegjës për ushtrimin e të drejtave përkatëse të Aksionarit do t’ia raportojnë çdo vendim të marrë në bazë të këtij Neni 7.3, dhe arsyet për marrjen e këtij vendimi: (i) Kuvendit, për NP-të Qendrore, ose (ii) Kuvendit përkatës Komunal, për NP-të Lokale.
7.4 Njësia për Politikat dhe Monitorimin e NP do të shqyrtojë procesverbalet e secilës mbledhje të Bordeve të Drejtorëve dhe Komisioneve të Auditimit të NP-ve si dhe të gjitha dokumentet e dorëzuara. Kurdo që është e nevojshme, Njësia për Politikat dhe Monitorimin e NP do të kërkojë dorëzimin e të dhënave më specifike dhe po ashtu mund të kërkojë takim me Bordin e Drejtorëve. Kurdo që këto procesverbale, dokumente ose të dhëna shfaqin shqetësime lidhur me performancën e Bordit të Drejtorëve, menaxhmentit të NP-së ose vetë NP-së, Njësia për Politikat dhe Monitorimin e NP-ve do ta njoftojë Aksionarin(ët) përkatës mbi këto shqetësime.
7.5 Komunikimi ndërmjet Aksionarit(ëve) ose Njësisë për Politikat dhe Monitorimin e NP-ve dhe Bordit të Drejtorëve ose Komisionit të Auditimit të një NP-je rregullisht do të kanalizohet përmes kryesuesit të, sipas rastit, Bordit të Drejtorëve ose Komisionit të Auditimit.
7.6 Detyrimi për mbikëqyrje i themeluar me këtë nen nuk do të ushtrohet në një mënyrë që ndërhyn, ose ka për qëllim të ndërhyjë, me veprimtarinë ose pavarësinë e Bordit të Drejtorëve ose Komisionit të Auditimit të një NP.
7.7 Njësia për Politikat dhe Monitorimin e NP-ve do t’i mbajë sekret dhe nuk do t’i bëjë publike të gjitha të dhënat të cilat Bordi i Drejtorëve i përcakton si secrete.
Nga kjo rezulton se, Qeveria e Republikës së Kosovës, nuk i ka aplikuar normat e sipërshënuara, norma këto pozitive në Republikën e Kosovës. Pos kësaj, në rastin konkret Qeveria e Republikës së Kosovës, gabimisht e ka konstatuar edhe gjendjen faktike, për arsye se shkarkimi i Bordit të Drejtorëve, përveç që është i kundërligjshëm, vendim politik dhe pa asnjë bazë ligjore, është edhe i turpshëm, me qëllime të ulëta për të mohuar sukseset dhe me tendencë për të destabilizuar dhe shkatërruar një ndërmarrje publike që me mund e sakrificë ka arritur të jetë më e suksesshmja në Republikën e Kosovës.
Vendimi nuk e pasqryon gjendjen reale të ndërmarrjes sepse në tri vitet e fundit ka pasur një performancë të shkëlqyeshme me fitim operativ, performancë kjo e konstatuar nga raportet vjetore të auditimit të jashtëm, në të gjithë sektorët e ndërmarrjes.
Se “Korporata Energjetike të Kosovës”- SH. A., është ndërmarrje e sukseshme afariste dhe multifunksionale, e dëshmon edhe fakti se koston e veprimtarisë e ka mbuluar me të hyra vetanake, përveç kësaj për tri vitet e fundit me rreth 20 milionë euro profit vjetor, me përformancën më të mirë dhe me tejkalimin e të gjitha caqeve dhe parashikimeve, pa qenë asnjëherë barrë e buxhetit të Republikës së Kosovës.
Ky vendim i pa bazuar në ligje dhe pa fakte të qëndrushme (duke mos i pasqyruar të gjita faktet që ne do t’i prezentojmë në vazhdim) arsyetohet si në citimet mëposhtë të bërë nga Ministrja e Ministrisë së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike në Memorandum shpjegues për propozim-vendimin për shkarkimin e bordit të drejtorëve dhe emërimin e bordit të përkohshëm të drejtorëve të ndërmarrjes publike qendrore “Korporata Energjetike e Kosovës” Sh. A:
“Qeveria ka një varg arsyesh për të shkarkuar drejtorët e KEK-ut: (1) shpenzimet e paplanifikuara dhe të pamatura në një kontratë me vlerë mbi 1 milion euro; (2) dhënia e bonuseve për drejtorët në kundërshtim me vendimin e Ministrit; (3) punësimet e parregullta, nepotizmi, diskriminimi e shkelje të tjera në punësim; dhe (4) keqmenaxhimi i pronës dhe shkeljet e tjera lidhur me pasuritë e ndërmarrjes”.
Bazuar ‘’Memorandumit shpjegues për propozim-vendim për shkarkimin e bordit të drejtorëve dhe emërimin e bordit të përkohshëm të drejtorëve të ndërmarrjes publike qendrore “Korporata Energjetike e Kosovës’’Sh.A., data 23 prill 2020, më poshtë gjeni disa fakte të cilat prezentojnë të kundërtën.
Arsyetimi i Qeverisë në pikën (1) – shpenzimet e paplanifikuara dhe të pamatura në një kontratë me vlerë mbi 1 milion euro
Pika 1: BD KEK-ut – Faktet që prezentojnë të kundërtën dhe që nuk janë marrë për bazë janë:
Bordi i Drejtorëve ka aprovuar kërkesën e menaxhmentit dhe ka miratuar mjetet finaciar për këtë projekt, duke u nisur nga fakti se një kompani si KEK-u me mbi 4000 punëtorë dhe me databazë të madhe të pronës ka nevojë për digjitalizim.
Procedurat e prokurimit dhe nënshkrimi të kontratës “Skanimi, arkivimi dhe inkorporimi i proceseve digjitale[sic] në burime njerëzore dhe pronë” nuk janë nën kompetencat e Bordit të Drejtorëve të KEK-ut.
Roli i Bordit të Drejtorëve sqarohet në nenin 15.2 të Kodit të Qeverisjes Korparative të vitit 2014, citojmë “Bordi duhet tё identifikojё biznesin dhe konkurrencën e tij, tё fokusohet nё problemet strategjike dhe menaxhimin e rrezikut dhe tё themelojё standarde tё larta tё performancёs duke pёrfshirё sjelljet etike si dhe performancёn operative dhe financiare. Bordi ёshtё pёrgjegjёs pёr drejtimin e planeve tё Ndёrmarrjes por nuk e menaxhon Ndёrmarrjen. Përderisa Bordi e mban rolin e tij pёr tё vlerësuar dhe mbajtur menaxherët përgjegjës, ai duhet tё përzgjedhё njerëzit kompetent pёr tё drejtuar biznesin”.
Arsyetimi i Qeverisë në pikën (2) Bonuset në kundërshtim me vendimin e Ministrit
Pika 2: BD KEK-ut – Faktet që prezantojnë të kundërten dhe që nuk janë marrë për bazë janë:
Vendimi i Ministrit Lluka datuar më 18 dhjetor 2017, është respektuar dhe Bordi i KEK-ut nuk ka ndarë mjete për kompenizimin për stimulimin e efektshmërisë për vitin 2017 edhe pse KEK-u ka pasur neto fitim mbi 20 Milion Euro.
Para vendimeve të datës 15 mars 2019, ku drejtorët kanë miratuar deklaratën e politikës së kompensimit të zyrtarëve për 2018-tën, të pasuar më vendimin e datës 31 maj 2019 me aktin tjetër për miratimin e performancës për 2018 me përformancën me të mirë dhe me tejkalimin e të gjitha caqeve dhe parashikimeve (obligim ligjor i BD-ve që del nga Ligjit Nr.03/L-087 për Ndërmarrjet Publike), në kompani ka ardhë edhe letra e datës 22.10.2018 nga Ministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik z. Valdrin Lluka, ku theksohet (po citoj paragrafin e dytë të letrës):
Arsyetimi i Qeverisë në pikën (3) Shkeljet në punësim — Parregullsi, nepotizëm, diskriminim
Pika 3: BD KEK-ut – Faktet që prezantojnë të kundërten dhe që nuk janë marrë për bazë janë:
Shpallja publike për Zyrtar i Auditimit të Brenshëm është publikuar me 31.08.2018 dhe ka zgjatur deri më 01.10.2018. Zyrtari i ZAB është zgjedhur më 14.11.2018
Arsyetimi i Qeverisë në pikën (4) – Keqmenaxhimi i pronës dhe shkelje të tjera
Pika 4 BD KEK-ut – Faktet që prezentojnë të kundërtën dhe që nuk janë marrë për bazë janë:
Gjatë periudhës së lartëcekur nga ZAB janë dhënë 448 rekomandime për përmirësim të Procesit dhe 69 rekomandime për masa disciplinore.
Me kërkesë të Komisionit të Auditimit, nga ZAB është kërkuar që të monitorohet realizimi i rekomandimeve nga Raportet e auditimit. Realizimi i rekomandimeve të auditorëve monitorohet nga Zyra e Auditorit të Brendshëm dhe të njetat në baza periodike raportohen në Komisionin e Auditimit dhe nëpërmjet Komisionit të Auditimit të Bordit të Drejtorëve.
Duhet të ceket se si rezultat i auditimeve të kryera gjatë viteve të lartëcekura janë kryer një numër i madh i aktiviteteve, ku si rezultat i këtyre aktiviteteve janë kursyer një shumë e madhe e mjeteve që kalon vlerat milionëshe.
Duhet patjetër të nënvizojmë se nga ZAB, me aprovim të Komitetit të Auditimit, janë dorëzuar 9(nëntë) raste në Prokurori aty ku është dyshuar që është keqpërdorur paraja dhe janë tejkaluar autorizimet e dhëna.
Nga e gjithë kjo, rezulton, se veprimet e ndërmarra, nga Qeveria e Republikës së Kosovës, me rastin e shkarkimit të Bordit të suksesshëm të KEK-ut – SHA, ka cënuar normat e sipërshënuara të Ligjit mbi Ndërmarrjet Publike si dhe kanë cenuar autoritetin dhe prestigjin e antëraëve të bordit tashmë të shkarkuar.