Diskutohen rekomandimet mbi projektligjin për ATK-në dhe procedura

Prishtinë | 16 Jan 2019 | 11:55 | Nga Ekonomia Online

Shoqata e Kontabilistëve dhe Auditorëve të Çertifikuar të Kosovës (ShKÇAK) në bashkëpunim me Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë organizuan tryezë diskutimi me biznese dhe profesionistët e kontabilitetit për të diskutuar komentet dhe rekomandimet mbi projektligjin për Administratën Tatimore dhe Procedurat, i cili parasheh ndryshime dhe plotësime substanciale në krahasim nga ligji paraprak.

Udhëheqësi i Departamentit të Kontrollit të Cilësisë në ShKÇAK, Arber Hoti, njoftoi të pranishmit mbi ndryshimet të cilat parashihen në këtë projektligj në lidhje me deklaratat tatimore, vetë-vlerësimin, pagesat, interesin, kreditimet, rimbursimet, etj.

Ai prezantoi disa nga rekomandimet e bëra nga ShKÇAK të cilat përfshijnë lehtësimin e veprimtarisë së bizneseve si dhe qartësimin e neneve të caktuara në legjislacion tatimor.

Kryesuesja e Komitetit Tatimor të Odës Amerikane, Gresë Rexhepi, përmendi mes të tjerash themelimin e Bordit të Ankesave i cili do të lehtësojë veprimtarinë e bizneseve ku ankesat e tyre tashmë do të trajtohen brenda afatit kohor prej 30 ditëve.

Ajo tha se transparenca e këtij organi do të ishte mjaft e lartë edhe përmes publikimit të vendimeve të Bordit në këtë drejtim. Ajo shtoi se plotësimet dhe ndryshimet e parapara mbi projektligjin për administratën tatimore dhe procedura paraqesin një hap të rëndësishëm në legjislacionin tatimor, megjithatë dispozita të caktuara kërkojnë qartësim të mëtutjeshëm.

Ndërsa Kryesuesi i Komitetit Tatimor në ShKÇAK, Fahri Breznica, tha se rëndësi e madhe duhet t’iu kushtohet të drejtave të tatimpaguesve, qasja e Administratës Tatimore të Kosovës ndaj tyre, si dhe dokumentimi gjetjeve të raporteve të kontrollit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme