Mustafa prezantoi Master Planin e Ujitjes së Tokave Bujqësore para Këshillit Ndërministror për Ujëra

Prishtinë | 15 Tet 2020 | 11:33 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa prezantoi Master Planin e Ujitjes së Tokave Bujqësore të Kosovës në Këshillin Ndërministror për Ujëra (KNMU).

Ministri Mustafa, shpalosi prioritetet e këtij Master Plani, i cili parasheh përfshirjen e të gjitha tokave bujqësore në sistemin e ujitjes.

Sipas Ministrit Mustafa, me zbatimin e këtij Master Plani, do të rritet hapësira e tokave bujqësore që përfshihen nën ujitje, nga 20 mijë hektarë në 90 mijë hektarë.

Tutje, Ministri Mustafa sqaroi se për zbatimin e këtij Master Plani, do të nevojiten 590 milionë euro investim.

“Ky investim në ujitje, do të jetë për bujqësinë tonë, për të shumëfishuar prodhimin bujqësor dhe të ushqimit cilësor për familjet tona”, tha tutje, Ministri Mustafa.

Me këtë Master Plan janë paraparë projekte madhore rehabilitimi, zgjerimi të rrjetit  dhe krijimit të skemave të reja të ujitjes.

Kryeministri Hoti, fillimisht falënderoi vendet donatore, veçmas Zvicrën dhe Gjermaninë, që e kanë ndihmuar zhvillimin e sektorit të ujërave në vendin tonë, me ç‘rast theksoi përkushtimin maksimal të Qeverisë për sektorin e ujërave, si një sektor tepër i rëndësishëm. 

Më tej, në këtë takim u miratua rekomandimi i Studimit të Fizibilitetit për ndërtimin e kanalit të Lepencit dhe digave në Firajë dhe Shtime në dy faza, mbi bazën e të cilit do të aplikohet në rundin e radhës të Kornizës Investuese të Ballkanit Perëndimor (WBIF) për dizajnin preliminar, vlerësimin e ndikimit mjedisor dhe social, si dhe përgatitjen e dosjes së tenderit të këtij projekti, përmes të cilit do të sigurohet uji i pijshëm për rajonin e Gjilanit, Ferizajt dhe Prishtinës.

Pastaj, u bë edhe miratimi i Kornizës së Investimeve – Master Planit për Ujitje si një projekt i rëndësishëm strategjik i cili do të ketë ndikim të madh në sektorin e bujqësisë, përmes të cilit do shtohet mbulueshmëria e ujitjes së tokave bujqësore.

Ndër të tjera u shqyrtua qasja për vendosjen e caqeve dhe treguesve të performancës për Kompanitë Rajonale të Ujësjellësve dhe Kompanive Rajonale të Ujitjes, me qëllim të përmirësimit të qeverisjes korporative të këtyre ndërmarrjeve.

Po ashtu, u diskutua edhe gjendja aktuale e projekteve në sektorin e ujërave për të cilin u kërkua të bëhet një analizë me e hollësishme, si dhe u miratuan rekomandimet sa i përket Raportit për Financimin e Borxhit Ndërkombëtar për Investime në Infrastrukturën Ujore të Kosovës – Aspekti Ligjor dhe Ekonomik”.

Në kuadër të diskutimit ishte edhe shqyrtimi i zbatimit të dispozitave të ligjit për ujëra, ku Këshilli mori vendim që të kërkojë nga institucionet përgjegjëse raport për zbatimin e ligjit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme