Për herë të parë, verërat kosovare eksportohen në Serbi në kuadër të marrëveshjes për normalizim ekonomik

Suharekë | 27 Nën 2020 | 14:30 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Verërat e prodhuara në Kosovë do të bëhen për herë të parë pjesë e tregut të Serbisë, raporton Ekonomia Online.

Kjo nismë është bërë në kuadër të Javës së Biznesit Kosovar 2020 në Suharekë, ku veraria, ”Agro Kosova Holding”, nis zyrtarisht eksportin në Serbi.

Kryeministri Avdullah Hoti, tha se po vazhdon implementimi i një pike tjetër të marrëveshjes për normalizim ekonomik ndërmjet Kosovës e Serbisë, e arritur më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë.

Pronari Aziz Tafaj , ka thënë se ata që një kohë eksportojnë  në shtete të ndryshme, ndërsa jashtë tash kanë filluar edhe në Serbi.

“Ndërmarrja i ka 430 hektarë të vreshtarisë dhe prodhon diku rreth 1 milion litra vere dhe prodhimi i verës ka filluar të eksportohet edhe jashtë Kosovës. Këtë vit një treg i ri i cili ka filluar të jetë interesant është edhe Serbia,  ku kemi nënshkruar kontratë për 1 milion litra. Sot jemi duke filluar me implementimin e kësaj marrëveshje. Do të vazhdojmë programin tonë. Ky vit nuk ka qenë vit i lehtë për neve si prodhues, por kemi pasur mbështetjen e qeverisë. Iniciativa e qeverisë për subvencionimin e vreshtave na ka krijuar entuziazëm të prodhojmë edhe më shumë “.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, tha se duhet krijuar hapësirë prodhueseve vendës dhe bizneseve. Ai tha se eksporti i verërave në Serbi është rezultat i marrëveshjes së Washingtonit.

“Është  rezultat i marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë për normalizim të raporteve ekonomike dhe po bëhet realitet. 18 vite kemi ecur bashkë me prodhues dhe vazhdimisht bizneset kërkojnë mbështetje st dhe për herë të pare kritikat janë më të vogla nga qeveria. Duhet të mbështeten prodhuesit  dhe bizneset sepse u është kufizuar e drejta për të punuar lirshëm dhe kjo na pengon shumë në mungesë të ligjeve. Pa zhvillim ekonomik varfëria do të jetë më e madhe. Ne presim qeveria të bëjë më shumë dhe të mbështesë më shumë. Poashtu edhe ministria e bujqësisë ka rritur vlerën e subvencioneve”, tha Shahini.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti theksoi se do vazhdojë mbështetjen për bizneset.

“Jemi këtu për ti dhëne mbështetje bizneseve e prodhueseve vendës, ku 80% del jashtë Kosovës. Jemi munduar të mbështesim bizneset. 270 milion euro i kemi shpërndarë duke dyfishuar  subvencionimet në vreshta. Gjendja është e rëndë po do të iu qëndrojmë afër bizneseve. Vitin  ardhshëm kemi paraparë buxhet 182 milion euro edhe me ndihëm e partnerëve ndërkombëtar. Ligjin për rimëkëmbje ekonomike do ta kalojmë javën tjetër”, tha Hoti.

Ministri i Bujqësisë Besian Mustafa, tha se për shkak të krizës së shkaktuar nga pandemia këtë vit, kanë vendosur dyfishimin e subvencioneve për vreshta.

“Pas diskutimeve që kemi pasur kemi vendosur sivjet të dyfishojmë subvencionet edhe për vreshta nga 1 euro për hektarë. Dhe natyrisht do të paguajmë dy herë subvencionimin për litër të verës. Edhe me të gjitha subvencionet mbi 400 milion euro jemi të bindur qe kjo është një përkrahje për zhvillimin ekonomik”.

Ndërsa, kryetari i Suharekës  Bali Muharremaj, falënderoi kryeministrin për përkrahjen, duke shtuar se edhe ata si komunë u kanë dal në ndihmë bizneseve, duke i liruar nga disa tatime.

Të ngjashme