Shefi i Lufthansa-s: Me krijimin e kësaj linje ajrore, Kosova dhe Serbia po ndërmarrin një hap drejt afrimit me iniciativën amerikane

Prishtinë | 21 Jan 2020 | 10:14 | Nga Ekonomia Online

Linja ajrore më e madhe e Evropës, Lufthansa, të hënën ka nënshkruar një marrëveshje në Berlin për të operuar me fluturime të drejtpërdrejta midis Prishtinë dhe Beogradit.

Kompania me bazë në Gjermani, po kërkon të kthejë këtë linjë ajrore me degën e saj Eurowings.

Ende nuk dihen detajet e marrëveshjes, por distanca prej 250 kilometra pritet të zgjat rreth 50 minuta.

Shefi i Eurowings, Michael Knitter, pas ceremonisë së nënshkrimit së marrëveshjes, ka thënë se me krijimin e kësaj linje ajrore, Kosova dhe Serbia po ndërmarrin një hap drejt afrimit.

“Qëllimi i transportit ajror është bashkimi i njerëzve me origjinë të ndryshme në mënyrë paqësore. Me krijimin e kësaj linje ajrore, Kosova dhe Serbia po ndërmarrin një hap drejt afrimit me iniciativën e SHBA-së. Ne jemi të kënaqur që jemi bashkërendues të këtij procesi”, ka thënë Knitter, përcjell Telegrafi.

View image on Twitter

Po ashtu, krijimin e kësaj linje e ka përshëndetur edhe presidenti amerikan Donald Trump, duke e cilësuar si marrëveshje historike.

“Të gjithë thanë se nuk mund të bëhet. Por, për herë të parë në një gjeneratë, do të ketë fluturime direkte mes Serbisë dhe Kosovës. Një tjetër fitore. Faleminderit ambasadorit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Robert O’Brien, si dhe ambasadorit Richard Grenell”, ka shkruar presidenti amerikan në Twitter.

Edhe i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell ka thënë se nënshkrimi i marrëveshjeve nga Prishtina dhe Beogradi për linjën ajrore është fitore historike e administratës së presidentit amerikan Donald Trump.

Ndryshe, pas më shumë se dy dekadave është paralajmëruar rikthimi i fluturimeve në linjat ajrore Prishtinë-Beograd dhe anasjelltas. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme