Ekonomia në dorën e pushtetit

Prishtinë | 07 Jan 2018 | 09:20 | Nga

“Veç m’u ka tekë”. Ky ishte arsyetimi i kryeministrit Haradinaj për faljen e borxheve ndaj ambalazhuesve të ujit, të cilët për vite me radhë i janë shmangur ligjit duke mos paguar taksat për shfrytëzimin e ujit. Më këtë arsyetim u falën 58 milionë euro taksa, të cilat shteti nuk kishte arritur t’i grumbullonte për 18 vjet rresht.

Pasiguria për furnizim me energji elektrike përshkoi pothuajse gjithë vitin 2017. Që nga alarmimi i menaxhmentit të KEK-ut se Kosova është para një kolapsi energjetik, fokusi i dy qeverive, asaj Mustafa dhe Haradinaj, ishte në gjetjen e një zgjidhjeje për procesin e shpronësimit të fshatrave Hade dhe Shipitullë, të cilat ua pamundësonin ekskavatorëve mihjen në ato pjesë, shkruan “Koha Ditore” në numrin festiv të Vitit të Ri.

Me gjithë zotimet, shpronësimi atje u zvarrit për muaj të tërë dhe si pasojë e kësaj Kosova është duke importuar gjysmën e energjisë që e konsumon. E sasia e madhe e importit pritet që të shkaktojë rritje të çmimit të energjisë elektrike, e cila mund të mbërrijë deri në 20 për qind për vitin e ardhshëm.

Pak vëmendje iu kushtua gjatë vitit kombinatit “Trepça”. Megjithëse kjo ndërmarrje hyri në vitin 2017 me ligj të vetin, ajo ende nuk është shndërruar në shoqëri aksionare, ashtu siç e parasheh ky ligj. E shpërfillja e pushtetit ndaj “Trepçës” rrezikon degradimin e kësaj ndërmarrjeje, kurse nëse implementimi i ligjit zvarritet edhe më tej, gjiganti i dikurshëm metalurgjik rrezikon edhe falimentimin e tërësishëm.

Gjendja në sektorin privat ka mbetur e njëjtë dhe pak është bërë në përmirësimin e saj në vitin 2017. Paga mesatare në këtë sektor mbetet më e ulët sesa në sektorin publik, kurse numri i punëtorëve të cilët punojnë pa kontrata, pra në informalitet, vlerësohet të jetë rreth 45 mijë. Në anën tjetër, përkundrejt premtimeve për rritje, paga minimale ka mbetur e njëjtë tash e 7 vjet – 130 euro për punëtorët nën moshën 35 vjeç, kurse 170 mbi këtë moshë.

2017-a u përmbyll me marrëveshjen për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, i cili pritet të sjellë investime prej 1 miliard e 300 milionë euro. E megjithatë as kjo nuk kaloi pa u kritikuar; shoqëria civile kundërshtoi ndërtimin e një termocentrali të ri, i cili, sipas tyre, e bën Kosovën të varur nga thëngjilli edhe për të paktën 20 vjetët e ardhshëm.

(Pa) siguria për furnizimin me energji elektrike

Historike u quajt arritja e marrëveshjes për termocentralin “Kosova e Re”, ndërtimi i së cilit pritet të nisë në fund të vitit 2018, ose më së largu në fillim të vitit 2019. U tha se edhe për dhjetëra vite ky termocentral do të sigurojë furnizim të qëndrueshëm me energji. Marrëveshja u quajt e leverdishme për Kosovën, ani pse e njëjta ende nuk është bërë publike, edhe me gjithë premtimet e Qeverisë Haradinaj për transparencë dhe thirrje të shoqërisë civile për ta bërë një gjë të tillë.

Bazuar në ato që Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka treguar lidhur me marrëveshjen, termocentrali “Kosova e Re” do të ndërtohet me një bllok të vetëm superkritik, me efiçiencë minimum 40% dhe kapacitet elektrik bruto prej 500 MW. Sipas njoftimit të Ekzekutivit, marrëveshja e cila është nënshkruar edhe zyrtarisht më 20 dhjetor do të hapë rrugën për 1 miliard e 300 milionë euro investime. Prej tyre, 30 për qind do t’i investojë vetë kompania “Contour Global”, ndërsa të tjerat do të sigurohen përmes kredive nga institucionet financiare ndërkombëtare…

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme